Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë, e raportuar si fillim në JOQ, ku një fëmijë 6-vjeçar humbi jetën në spitalin e Lushnjes.
Mësohet se fëmija ishte dërguar në spital rreth orës 14:00 me autoambulancë nga qendra shëndetësore e Divjakës, pas disa ditësh trajtimi në kushte shtëpie. Për të ishte kujdesur gjyshi pasi prindërit ishin të divorcuar.
Sipas drejtorisë së spitalit, fëmija vuante nga bronkopneumonia bilaterale dhe, për shkak të gjendjes së rënduar, mjekët vendosën ta transferonin për mjekim të specializuar në Tiranë. Megjithatë, sipas tyre fëmija humbi jetën menjëherë pas hipjes në autoambulancë, si pasojë e arrestit kardiak, që u shkaktua nga sëmundja e mëparshme.
Në momentet e fundit, ishin të pranishëm mamaja dhe gjyshi, të cilët kanë refuzuar që të bëhet autopsi dhe kanë marrë trupin për të kryer nderimet e fundit në shtëpi.
Policia e Lushnjes thotë se ka kryer procedurat e nevojshme dhe ka dërguar çështjen në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Ndërkohë i trishtë është fakti se brenda pak javësh disa fëmijë të mitur kanë humbur jetën si pasojë “e arrestit kardiak”, por familjarët e tyre refuzojnë këtë version të mjekëve, i cili ende nuk është dëshmuar plotësisht.