Artan Hoxha ka folur për kontrollet e SPAK në banesën ku ka qëndruar Ervis Martinaj në Surrel, pranë vilës së kryeministrit Rama.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hoxha tha se veprimet e SPAk nuk kanë asnjë efekt, pasi janë shumë të vonuara. Ai shtoi se Martinaj po hetohet nga dy prokurori, ajo e Kurbinit që heton zhdukjen e tij dhe SPAK, që e heton për vepra penale.
“Këto veprime të bëra në këtë moment, nuk kanë sjellë asnjë efekt. Është thënë se këto veprime nuk po i bën prokurorët e Kurbinit, por SPAK që e ka nën kërkim Ervis Martinajn. Ai i Kurbinit, po heton se kush e ka zhdukur Ervis Martinaj.
Më thanë se SPAK ka kontrolluar banesën ku ka jetuar Ervis Martinaj pranë kryeministrit. Këto veprime duhet të ishin bërë që në maj kur është zhdukur Ervis Martinaj. Të shkosh pas pesë muajsh, të gjesh prova, gjen shtëpi bosh.
Në kohën që Martinaj ka jetuar aty, ka qenë pronar i saj. E di fare mirë sepse e kam takuar vetë në atë kohë, sepse ndodhi ngjarje me truprojat e kryeministrit. Me letra është paraqitur një person më mbiemrin Vuthaj, unë di që ai është administrator.
Martinaj ka qenë i vendosur në këtë zonë, në Surrel. Banesa tjetër është në afërsi të Priskës. Ka një shprehje populli, më ka çu’ nana me la’ gojën. Pas 5 muajsh, cfarë prove do të gjesh aty?
Kjo histori do të vazhdojë, për sa kohë nuk ka përgjigje zyrtare. Me legjislacionin shqiptar duhet të kalojë shtatë vjet, që një person i zhdukur të shpallet i vdekur. Eduard Belegu, ish këshilltar i Dritan Priftit, u rrëmbye dhe nuk u gjet më. Pas 7 vitesh, u shpall i vdekur.
Ne urojmë që Martinaj të jetë gjallë, por unë nuk lëviz nga versioni që kam dhënë në fillim.
Këto kontrolle nuk sjellin asgjë të re, përveçse ushqejnë publikun me lajme”, deklaroi Hoxha.