/ Iu gjetën 6 herë kokainë në kontenierët me banane, SPAK vendos SEKUESTRON për “Alba Exotic Fruit”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur sekuestron mbi kompaninë “Alba Exotic Fruit”.
Vendimi ka ardhur pasi në kontenierët e kësaj kompanie është kapur 6 herë lëndë narkotike e llojit kokainë.
Pronari i kompanisë Eduart Dauti është shpallur në kërkim, ndërkohë që në pranga është vënë administratori i kësaj kompanie.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për procedimin penal nr.207/2021, regjistruar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Hetimet e këtij procedimi penal lidhen me faktet e konstatuara të kapjes në disa raste të sasive të kokainës në ngarkesat e importuara në Portin e Durrësit nga subjekti juridik “Alba Exotic Fruit”.
Në kuadër të këtyre hetimeve, pas kërkesës së Prokurorisë Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive të subjektit “Alba Exotic Fruit”, bazuar në parashikimet e nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, bazuar në parashikimet e ligjit nr.9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e personit juridik “Alba Exotic Fruit”, si subjekt juridik i dyshuar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.