NGA ROLAND BEJKO:
Sot Sali Berisha, nuk i dha thjesht pushtetin për herë të katërt Edi Ramës me ndryshimet në kodin zgjedhor. Ai sot i dha atij pushtetin absolut.
Shqiptarëve u bëri peshqesh një tirani të re.
Të dashur miq.
Sot, pas pazarit të pastër në dritë të diellit të mbetjeve politike të këtij vendi, Sali Berisha dhe Edi Rama, u nënshkrua akti i dytë i pushkatimit të demokracisë shqiptare pas pisllëkit të pazarit të vitit 2008, duke u hequr të drejtën shqiptarëve t’i zgjedhin ata vet përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputetët do definohen në parlament pas zgjedhjeve të vitit 2025 nga listat e mbyllura të kryetarëve të partive respektive, të cilët, nisur nga halli i njëjtë që kanë për të mbrojtur korrupsionin dhe krimet e tyre nga drejtësia e re janë gati të bëjnë gjithfarë orgjish politike.
Ditë edhe më të këqija po vijnë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mos kërkoni më tej për ta kuptusr se çfarë fytyre do ketë Qameti,… atë e keni para syve.
Sali Berisha sapo i fali në tavolinë Edi Ramës të paktën 10-12 deputetë, me mos bërjen e kualicioneve parazgjedhore, me votimin me postën e qeverisë të Diasporës, duke i dhënë mundësinë atij të krijojë një shumicë absolute me mbi 80 deputetë, e thënë ndryshe, duke na bërë peshqesh një tirani të pushtetit absolut të Edi Ramës në mandatin e tij të katërt. Tirani që do përpiqet të kontrollojë çdo hapësirë lirie të qytetarëve që janë kundër kastës së vjetër, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, do bëjë çmos të pengojë SPAK -un në avancimim e axhendës së vet, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit shtetëror.
Të paprekshmit, do mundohen të bëhen edhe më imunë ndaj rrezikut të kujdo që u cënon pushtetin 34 vjeçar duke rënë dakord që Rama të kontrollojë pushtetin, ndërsa Berisha me satelitët e tij të kontrollojnë opozitën, dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë edhe më shumë kulla e resorte turistike.
Historia ka për t’i mbuluar me turp të gjithë ata deputetë që kanë dalë me votat e demokratëve, të cilët para demokracisë dhe Shqipërisë , zgjodhën interesin personal dhe atë të plakut hallemadh.
PS: Chapeau deputetëve Enkelejd L. Alibeaj dhe Dashnor Sula për qartësinë e tyre në komisionin e ligjeve që kërkuan hapjen e listave të deputetëve, kualicionet prazgjedhore, votim dhe numërim elektronik, refuzim të votës me postë të diasporës, barazi të votës në gjithë vendin me Shqipëria një ose dy zona elektorale, etj, duke i dhënë vlerë garës dhe votës së qytetarit dhe jo listës së mbyllur të kryetarit.