Sokol Guga, Monika Zguro dhe Albert Dumani do të prezantojnë edicionin e 12-të të spektaklit “Krishtlindje në Tiranë 2026”
Producenti i mirënjohur Sokol Guga e Guga Production kanë nisur përgatitjet për një nga ngjarjet më të mëdha artistike të fundvitit. Edicioni i 12-të i spektaklit “Krishtlindje në Tiranë 2026” do të vijë me një formulë prezantimi që bashkon përvojën, elegancën dhe profesionalizmin.
Në skenën e këtij spektakli do të ngjiten tre emra të njohur të jetës publike shqiptare: Sokol Guga, producenti dhe ideatori i këtij eventi tashmë tradicional, Monika Zguro, një nga figurat më elegante dhe më të dashura për publikun shqiptar, si dhe moderatori Albert Dumani, të cilët do të drejtojnë së bashku mbrëmjen festive.
Sokol Guga premton se ky do të jetë edicioni më spektakolar i zhvilluar deri më sot, me një program të pasur artistik, të ftuar artist të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut si edhe një skenografi moderne që do ta shndërrojë Tiranën në kryeqendrën e festimeve të Krishtlindjes.
Rikthimi në skenë i Miss Albania 94 Monika Zguro, në një skenë shqiptare për një aktivitet të kësaj përmase pritet të jetë një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes. Eleganca dhe karizma e saj, së bashku me eksperiencën e Albert Dumanit dhe vizionin organizativ të Sokol Gugës, pritet t’i japin spektaklit një dimension të veçantë.
“Krishtlindje në Tiranë 2026” synon të jetë më shumë se një spektakël festiv. Ai do të jetë një festë e kulturës, muzikës, traditës dhe solidaritetit, duke bashkuar artistë, personalitete dhe publikun në një atmosferë të denjë për magjinë e fundvitit.
Edicioni i 12-të pritet të shënojë një tjetër kapitull të suksesshëm në historinë e këtij spektakli, duke konfirmuar “Krishtlindje në Tiranë” si një nga eventet më të rëndësishme artistike dhe festive në Shqipëri.














