Ish-kryeministri Sali Berisha ka krahasuar rezultatet që ai ka arritur në krye të Partisë Demokratike dhe atyre të Lulzim Bashës. Në fjalën e tij nga “Foltorja” e Vlorës, Berisha tha se Basha në vitin 2017 i kishte “ekzekutuar politikisht” bashkëpunëtorët e tij politik.
“Drejtimi i PD u mbajt nga një njeri që pas 8 vitesh nuk arriti dot të marrë as votat e 2013. Jemi 12% më pak në vota, kjo është e vërteta. Sali Berisha ka përgjegjësinë e tij. Në vitin 2017 i kërkova të japë dorëheqjen, nuk ndërmora dialogun me ju për largimin e tij. I kisha thënë se je lider i thyer. Me aktet që ti ke kryer në zgjedhjet e 2017, ti nuk bëhesh dot lider. Provoje! Unë do të bëj gjithçka por ti je i thyer. Nuk u dilet në pritë bashkëpunëtorëve, një nga një. I ekzekuton politikisht se nuk të pëlqejnë ty. Po të jesh burrë ia thua. Në këtë sallë kam shumë kujtime. Në këtë sallë kemi mësuar dhe ushtruar ABC e demokracisë. Kishim kryetar Afrim Jupin, që drejtonte këtë degë. Por megjithatë ne në 91 vinim nga shoqëria totalitare. Nuk kishin njohuri për demokracinë. Vinin në Tiranë dhe më thonin se nuk ecën dega me të. Mirë i thosha do vij unë atje. Votëbesim i thoja. Më shumë se një herë jemi mbledhur në këtë sallë dhe votohej Afrim Jupi. Pasi votëbesohej e mbështesnim të gjithë. E njëjta gjë më ndodhte në Fier,”-tha Berisha në fjalën e tij.