Plasin skenarët post-gusht, Berisha arrestohet në shtator, pasohet nga Meta, priten trazira që do sjellin qeveri teknike me kryeministre grua, SHBA heq vizat me Shqipërinë dhe BE hap negociatat në dhjetor
Vjeshta pritet të sjellë zhvillime shumë të bujshme në vend. Amerikanët kanë dhënë sinjale se nuk ka më pandëshkueshmëri, por duket se është shumë e afërt dita kur do të nisin arrestimet në nivele politike. Gazeta “Sot” ka siguruar një mesazh konfidencial në gjuhën angleze, i cili ditët e fundit po qarkullon fuqishëm në telefonat e politikanëve, gazetarëve, personaliteteve dhe në internet. Bëhet fjalë për një mesazh me skenarë post-gushti. Gazeta u interesua për të verifikuar se kush është burimi i mesazhit dhe sa i vërtetë është, por nuk dihet saktësisht ai që e ka shpërndarë i pari atë. Megjithatë ky mesazh po shpërndahet shumë ditët e fundit në rrethe të ngushta politikanësh dhe paralajmëron zhvillime bombë në shtator. Fakti që mesazhi është në anglisht të bën të dyshosh që mund të ketë dalë dhe nga selitë diplomatike, por që mbetet e pakonfirmuar. Sipas këtij mesazhi që po qarkullon edhe në internet, në shtator pritet të bëhet arrestimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa do pasohet nga presidenti Ilir Meta. Po ashtu, thuhet se kjo do sjellë protesta të shumta në vend dhe kryeministri Edi Rama do të detyrohet të tërhiqet duke i hapur rrugën një qeverie teknike në bashkëpunim me PD. Në krye të kësaj qeverie do të vendoset një grua. Ndërkohë më pas SHBA mund të heqë vizat me Shqipërinë dhe BE do hapë negociatat. “Arrestimi i Sali Berishës pritet në shtator. Atëherë do të shpërthejnë protesta shumë të mëdha. Pas Sali Berishës do të arrestohet edhe Meta. Protestat do të jenë aq të mëdha sa do të detyrojnë shumicën parlamentare të propozojë për kryeministre një femër, e cila do të udhëheqë një qeveri të krijuar me ministra teknikë. Gjatë kësaj periudhe do të ketë arrestime pothuajse çdo ditë. Në dhjetor, Amerika heq vizat për shqiptarët dhe kroatët. Bashkimi Evropian hap negociatat për Shqipërinë”, thuhet në mesazh.