Viktor Marku dhe Sebastian Mali, të ndaluar si persona të dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës mbrëmjen e 11 qershorit 2020 në Tiranë, mund të lënë qelitë e paraburgimit brenda pak ditësh. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes edhe për Adiola Lakrën.
“Viktor Marku dhe Sebastian Mali, dajë e nip dyshoheshin nga prokuroria dhe kanë qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pasi dyshoheshin se kishin kryer vrasjen për motive gjakmarrje të Hekuran Billës.
Ky i fundit ishte dënuar nga autoritetet britanike për vrasjen e Prel Markut, vëllain e Viktor Markut pas një sherri për parkimet në Britaninë e Madhe. Ai kishte plagosur atje dhe disa persona të tjerë. Në 2007 Hekuran Billa ishte ndaluar në Danimarkë dhe më pas u ekstradua në drejtim të Britanisë së Madhe dhe prej andej në Shqipëri, por më pas u lirua me kusht nga Gjykata e Krujës.
Pak muaj pasi rifitoi lirinë ai u ekzekutua më 19 plumba në rrugën “Prokop Mima”, teksa po kthehej në banesën e tij dhe do të kishte një takim me Adiola Lakrën me të cilën kishte një marrëdhënie intime. Prokuroria ka kërkuar zyrtarisht pushimin e kësaj çështje penale dhe shuarjen e masës së sigurisë për dy personat e arrestuar dhe për Adiola Lakrën, çka do të thotë që vrasja e Hekuran Billës rrezikon të arkivohet dhe mbetet pa autorë. Fjalën e fundit pritet ta thotë gjykatësja paraprake, e cila do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë”, tha Lala.
Por çfarë kanë deklaruar zyrtarët e policisë që kanë kërkuar në TIMS emrin e Billës?
“Ka rezultuar nga hetimet e prokurorisë se 11 zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe SHISH kanë kërkuar në sistemin TIMS emrin e Hekuran Billës, duke vëzhguar të gjitha hyrjet dhe daljet e tij nga territori i Republikës së Shqipërisë, por të gjithë kanë deklaruar se nuk kanë qenë në shërbim kur është kërkuar për emrin e tij, të tjerë kanë thënë se nuk e kanë idenë se kush është Hekuran Billa dhe për cilat arsye është kërkuar nga adresa e tyre emri i tij dhe të tjerë që thonë se e kanë kërkuar emrin e tij për arsye pune. Ky është një skandal i madh se si 11 zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe SHISH kanë kërkuar emrin e një ish-të dënuari që u ekzekutua menjëherë pasi hyri në Shqipëri. Ai udhëtoi nga Belgjika në drejtim të Tiranës dhe më pas u ekzekutua me 11 plumba”, tha Lala.