Kur ligji bie në veshë të shurdhër: Rasti i RTSH-së dhe Kandidatura e Eni Vasilit
Në një shoqëri ku shteti ligjor duhet të jetë themeli mbi të cilin ngrihet çdo institucion publik, Radio Televizioni Shqiptar – institucioni simbol i informacionit të pavarur – për fat të keq po përmbytet gjithnjë e më shumë nga një lumë vendimesh që sfidojnë jo vetëm etikën, por edhe vetë ligjin.
Rasti më i fundit që ngre alarmin për kapjen e këtij institucioni është ai i kualifikimit të znj. Eni Vasili në garën për Drejtoreshë të Përgjithshme të RTSH-së. Një emër i njohur për publikun, por edhe për botën e biznesit mediatik. Sipas CV-së së saj zyrtare, znj. Vasili është aktualisht administratore dhe pronare e kompanisë “Open Media & Marketing Consulting”, një subjekt aktiv në fushën e komunikimit, marketingut dhe reklamës – pra pikërisht në ato fusha që ligji për mediat audiovizive i ndalon rreptësisht për drejtuesit e RTSH-së.
Neni përkatës i ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” është i qartë: Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së nuk duhet të ketë interesa pronësie, drejtimi apo përfaqësimi në subjekte që operojnë në fushën e transmetimeve audiovizive, prodhimit mediatik, reklamës apo komunikimit elektronik. Ky është një kriter ligjor dhe jo një preferencë subjektive. Dhe gjithsesi, ai është shpërfillur pa asnjë ndrojtje nga Këshilli Drejtues i RTSH-së, i cili ka pranuar kandidaturën e znj. Vasili, pavarësisht konfliktit flagrant të interesit.
Por kjo nuk është hera e parë. Kujtojmë se Enkelejd Joti, ish-drejtori i RTSH-së, ishte aksioner në “Digitalb” – një tjetër shkelje e ligjit. Më pas, Alfred Peza, anëtar i Partisë Socialiste dhe ish-deputet, u emërua Drejtor i Pergjithshem nga Keshilli, duke e bërë politikën pjesë përbërëse të administrimit të një institucioni që duhej të ishte i pavarur. Si mund të besojë qytetari shqiptar në paanshmërinë e RTSH-së, kur vetë organet drejtuese janë ndërtuar mbi themele joligjore?
Ky është një moment i errët për transparencën dhe drejtësinë institucionale në Shqipëri. Ndërsa qytetarët kërkojnë një RTSH që i përfaqëson, që informon ndershmërisht dhe që i qëndron larg ndikimeve politike e ekonomike, vendimet e Këshillit Drejtues po tregojnë se ligji është kthyer në një dekor simbolik – një formalitet që respektohet vetëm kur është i përshtatshëm për axhendat e caktuara.
Drejtësia nuk është çështje interpretimi politik. Është çështje e respektimit të normave që ne vetë kemi miratuar si shoqëri. Dhe nëse RTSH-ja, institucioni që duhet të jetë fanari i ndriçimit të së vërtetës, lejon në krye të saj një figurë që përfaqëson një interes të qartë tregtar në fushën mediatike, atëherë kemi hyrë në një spirale ku ndarja midis publikes dhe privates, midis së drejtës dhe të paligjshmes, është bërë e pakuptueshme.
Nëse duam një RTSH që i shërben interesit publik dhe jo atij të grupeve të caktuara, atëherë zbatimi i ligjit duhet të jetë absolut, pa përjashtime dhe pa justifikime. Sepse ndryshe, çdo fjalë për reformë, transparencë dhe demokraci është thjesht një flluskë propagande në një det të paligjshmërisë.