Si gënjen banorët kryetari Bashkisë së Shijakut/ Prej 4 muajsh ka lënë qytetin të përmbytet nga plehrat për motive të fshehta
Ndërsa banorët e Shijakut kërkojnë zgjidhje për plehrat që kanë përmbytur çdo rrugë, e trotuar në këto ditë të nxehta, kryetari i bashkisë së Shijakut në një prononcim që ka postuar në faqen zyrtare të Bashkisë së Shijakut (fb) thotë se arsyeja që jemi vonuar për të lidhur një marrëveshje me landfillin e Sharrës për depozitimin e mbetjeve urbane jan procedurat e shumta që kërkon kjo marrëveshje.
“Landfilli na ka lënë 10 ditë kohë dhe plehrat i pranoi falas gjatë kësaj kohe, por kjo marrëveshje mbaroi. Kontrata ka anët proceduriale që duhet ti zbatojmë, janë disa gjëra që kalojnë në këshill, etj për të finalizuar marëveshjen”, thot Arbana në prononcimin e tij. Por burime nga Landfilli i Sharrës sqarojnë se “ka një vit që Bashkia e Shijakut ka kërkuar marrëveshje për mbetjet dhe po një vit ka që depoziton falas. Kërkesën për marrëveshje e përsëriti në Maj të këtij viti pra rreth 4 muaj më pare, por pasi e finalizoi me kushtet e saj dhe mori kohën e nevojshme nuk e firmosi. Arsyet se pse janë të paqarta”.
Nga ana tjetër të njëjtat burime thonë se Landfilli nuk mund të pranojë më mbetje pa tarifë dhe pa marrëveshje megjithëse deri tani i ka mbuluar vetë kostot financiare të këtij qyteti. Pas një viti depozitim falas bashkia e Shijakut ka vendosur që koston e mungesës së një zgjidhjeje tja kalojë qytetarëve, duke ju lënë plehrat dhe sëmundjet në derë e duke mos sqaruar opinionin publik, se cila ka qenë arsyeja që ka mbajtur në tavolinën e tij 4 muaj një marrëveshje të hartuar nga vetë ai.