Në Komisionin e Sigurisë, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave” u diskutua nga anëtarët.
Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila, i cili ishte i pranishëm për të sqaruar këtë çështje u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje me Britaninë e Madhe për instalimin e një kampi refugjatësh në Shqipëri. Ai bëri të ditur se kjo marrëveshje është mbështetur në të njëjtën marrëveshje komunitare që Republika e Shqipërisë ka nënshkruar me Bashkimin Evropian. Mahila tha se kjo nuk është një marrëveshje e re, është rinovim i asaj të bërë në vitin 2003.
Deputeti socialist Paulin Sterkaj ishte pro kësaj marrëveshje. Ai kërkoi nga kolegët e opozitës që të jenë më humanë dhe më të gjerë për këto çështje.
Mediat britanike kanë shkruar se Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria do të bëjnë një marrëveshje që në vendin tonë të ngrihet një kamp refugjatësh për të gjithë ata që janë të paligjshëm atje.