Shpenzimet elektorale/ Partitë politike fshehin paratë që kanë harxhuar gjatë fushatës
Verifikimi i shpenzimeve elektorale dhe procesi i kqyrjes së materialeve zgjedhore vijon gjatë vjeshtës 2021, duke e bërë procesin tonë zgjedhor të nisur në mars 2021 nga më të gjatët në historinë e proceseve zgjedhore europiane, – vlerëson Instituti i Studimeve Politike (ISP).
Zgjedhjet parlamentare 2021 kanë përfunduar, por në fillim të muajit shtator pritet të hapen rreth 10% e kutive të votimit ose rreth 519 qendra votimi me zgjedhje të rastësishme në të gjithë vendin.
Sipas ekspertëve të ISP kjo mundësohet nga neni 167 i Kodit Zgjedhor, duke qenë një nga risitë/garancitë e ofruara midis palëve politike në reformën zgjedhore dhe akordin politik të 5 qershorit 2020.
Sipas Kodit, pas daljes së vendimit përfundimtar mbi rezultatet e zgjedhjeve, KQZ, me përzgjedhje rastësore, ose me kërkesë të palëve të interesuara, bën kqyrjen e materialeve zgjedhore në jo më shumë se 10 për qind të qendrave të votimit.
Nisma mund të jetë e KQZ, e subjekteve të interesuara, etj, por sipas monitorimit të ISP deri më tani, partitë e opozitës, të cilat kanë kontestuar rezultatin, ende nuk kanë deklaruar nëse do ta ushtrojnë këtë të drejtë. Ushtrimi i saj kërkon mbështetje financiare (pagesë për shpenzimet), si dhe natyrisht edhe pranimin e rezultatit që del nga kqyrja e materialeve zgjedhore.
Sipas procedurës, KQZ-ja verifikon fletët e votimit dhe materialet zgjedhore për të testuar rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave, si dhe mbi bazën e të dhënave daktiloskopike të mbledhura nga pajisjet e identifikimit elektronik nëse rezultojnë votues të shumëfishtë dhe përgatit materialin kallëzues për prokurorinë.
Aplikimi i kësaj praktike nuk pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme dhe as të ndikojë në legjitimitetin e procesit zgjedhor, por mbetet mekanizëm matës për saktësinë e të dhënave dhe aktivitetin e komisionerëve partiakë që morën pjesë në numërimin dhe administrimin e votave. Për më tepër, edhe deklarimi i shpenzimeve elektorale të subjekteve politike bëhet deri në 60 ditë pas daljes së rezultatit final (deri tani e kanë bërë vetëm LSI dhe PBDNJ), pra deri në 13 shtator 2021, kurse verifikimi i deklarimeve do të kërkojë kohë shtesë disa mujore.
Aplikimi i kryqjes së materialeve të votimit dhe ai mbi financimet elektorale do ta shtyjë debatin mbi zgjedhjet nga dita e votimit (25 prill) në perfundimin e kqyrjes (tetor-nëntor 2021), duke e bërë procesin tonë zgjedhor nga më të gjatët në historinë e proceseve zgjedhore europiane….