Një 63-vjeçar italian ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në Tiranë dhe sipas dyshimeve paraprake, vdekja mund të ketë lidhje me një ndërhyrje dentare të kryer disa ditë më parë.
Sipas burimeve për mediat, italiani kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve më datë 20 maj 2025. Dyshohet se ai vuante nga kanceri në mëlçi, një fakt që nuk i është bërë i ditur klinikës ku u krye procedura dentare.
Pavarësisht kësaj, deri më tani procedurat mjekësore rezultojnë të jenë ndjekur në përputhje me rregullat, ndërsa vendimi për hapjen ose jo të një çështjeje penale do të merret nga prokuroria në vijim.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se i moshuari, i identifikuar me inicialet D.S., ishte paraqitur në spital pas komplikacioneve të ndodhura pas ndërhyrjes dentare, ku nuk ishte ndjerë mirë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 2 kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore. Ata kanë marrë në pyetje administratorin dhe dentistin e klinikës ku u krye ndërhyrja. Hetimet vijojnë për të sqaruar shkaqet e sakta të vdekjes.