Saimir Sula ka dalë i vdekur nga spitali i Barcelonës. I riu u shtrua në maj ë vitit të shkuar në spital për shkak se dyshonte se ishte i infektuar nga pandemia e koronavirusit, por as 24 orë më pas ka dalë i vdekur nga godina. Për shkak të vdekjes së papritur, e motra Majlinda Sula ka kërkuar nisjen e hetimeve, pasi fillimisht ka dyshuar për neglizhencë.
Kjo pasi mjekja spanjolle i kishte komunikuar se të vëllait i kishin injektuar një qetësues. Me të sjellë trupin në Shqipëri, ajo kërkoi nga autoritetet shqiptarë kryerjen e një autopsie të dytë për të mësuar shkakun e vdekjes. Rezuloi se në kufomën e të riut mungonte organi i zemrës dhe disa të tjerë, duke e bërë të pamundur që të përcaktohej shkaku i vdekjes.
Në kartelën spitalore të Saimir Sulës, nuk ishte specifikuar në asnjë rresht se 33-vjeçari nga Tirana kishte pasur probleme, apo se organi ishte hequr nga trupi për një arsye të caktuar.
Familjarët e tij kanë bërë kallëzim në Spanjë dhe në Tiranë për ngjarjen e rëndë. Prokuroria në Tiranë ka dërguar një letër-porosi tek ajo në Spanjë por ende nuk ka marrë një përgjigje sesi po zhvillohen hetimet. Gjithë çfarë dihet deri më tani është fakti se në Spanjë janë marrë nën hetim 4 mjekë.
Paraprakisht dyshohet se gjatë mjekimit në Barcelonë, 33-vjeçarit i është marrë zemra për trafik organesh, por ende nuk ka një verdikt final nga ana e Gjykatës.














