Një dorë në kadaif, një dorë në bakllava/ Kryeinspektorja e ISHSH Shkodër Arsida Tyli nuk lejon njeri të zërë vendin e Shefit të Zyrës Juridike
Punë ka, por nuk ka profesionistë! Kjo ishte ‘parrulla’ që tha dikur kryeministri Rama për t’i bërë të rinjtë të prireshin drejt shkollave profesionale.
Por Rama nuk llogariti rastet kur punë ka, profesionistët nuk mungojnë, por vendet mbeten vakante sepse mund të ketë njerëz që duan ‘një dorë në kadaif e një dorë në bakllava’.
Në redaksi mbërriti një denoncim që ka të bëjë me rastin e një zonje, e cila është në punë por nuk le të tjerët të punojnë.
Arsida Tyli, kaçurelsja e cila prej katër vitesh mban postin e Kryeinspektores në ISHSH Shkodër, ka menduar për të ardhmen e saj, duke shkatërruar të ardhmen e të tjerëve.
Në Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor ajo mban ‘peng’ postin e Shefes Juridike, duke mos lejuar askënd ta zerë, me mendimin se nëse largohet nga pozicioni aktual i Kryeinspektores, të mos mbetet pa gjë, por të zërë vendin vakant të Shefes së Zyrës Juridike.
Ky abuzim me vendet e punës në Shkodër, ka bërë që dhjetra të rinj të diplomuar dhe të kualifikuar për atë vend pune, të marrin rrugët e emigracionit apo të sorrollaten si të papunë.
Mesa duket ISHSH Shkodër ‘i ka dalë pronari’, se ndryshe nuk ka si shpjegohet prepotenca e kësaj zonje të nderuar, që duke menduar se është ‘në mall babe’, nuk lejon askënd të zërë vendin bosh, që kush e di pse, Arsidës i duket se i takon dhe pikë.











