Shkarkimi i mjekut Ilir Allkja/ Ironizon Erion Dasho: Çuditë në Shqipëri zgjatin 3 ditë
Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho ka sjellë në vëmendje shkarkimin e mjekut Ilir Allkja në datën 30 dhjetor.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Dasho ka ironizuar reagimin e bluzave të bardha dhe qytetarëve, duke deklaruar se çuditë në Shqipëri zgjasin vetëm 3 ditë dhe më pas harrohen.
Eksperti i Shëndetit Publik përgëzon solidaritetin e mjekëve dhe protestën e tyre në datën 31, por ai shton se prej 3 ditësh mjeku është pa punë dhe Ministria dhe QSUT këtë ka dashur, që kjo ngjarje të harrohej dhe zhurma të shuhej gjatë festave.
“Çuditë në Shqipëri zgjatin 3 ditë!
Në 30 dhjetor shkruajtëm me dhjetëra statuse solidarizimi me Dr. Ilir Allkjan, për pushimin e tij nga puna poshtërsisht dhe pabesisht ditën e fundit të vitit.
Një protestë u bë para urgjencës mjeksore nga kolegë të QSUT-së në datën 31 dhjetor, çka meriton përgëzime për faktin se u organizua brenda pak orësh dhe u zhvillua në një ditë kur shumëkush e ka mendjen (me të drejtë) për të festuar dhe jo për të protestuar.
Një peticion u nënshkrua nga mbi 1,600 persona për pak orë që qëndroi online. 600 mesazhe zemërimi dhe solidariteti shoqëruan nënshkrimin e peticionit. Dr. Iliri u ftua në disa televizione dhe kolegë të tjerë dhanë shumë intervista në mbështetje të tij.
Sot kanë kaluar 3 ditët e famshme! Kolegu ynë është pa punë prej 3 ditësh. Drejtoria e QSUT dhe Ministria pikërisht këtë kanë pritur – që ngjarja do të harrohej dhe zhurma do të shuhej gjatë ditëve të festës”, shkruan Dasho.
Eksperti i Shëndetit Publik ngre pyetje dhe këron se të dijë se çfarë idesh kanë mjekët dhe qytetarët për rrugën që duhet ndjekur më tej për vendimin e padrejtë të pushimit nga puna të mjekut Ilir Allkja.
“Çfarë idesh keni për rrugën që duhet ndjekur në mënyrë që vendimi i padrejtë për pushimin e Dr. Ilirit të anullohet dhe doktori të rikthehet në shërbim?
PS: ndërkohë është gjetur një vendim i komisionerit anti-diskriminim që për një rast identik e ka hedhur poshtë arsyen e pushimit të Dr. Ilirit (vendimin dhe nenin e cituar në letrën e drejtorisë së QSUT)”, shkruan Erion Dasho./CNA.al














