Ndërron jetë gruaja që qëlluan me armë zjarri në Kapitol, policia arreston 13 persona.
Protestat e dhunshme në Kapitol kanë shkaktuar edhe viktimën e parë.
Bëhet fjalë për një grua, e cila me t’u futur në ambientet e institucionit u qëllua me armë zjarri në gjoks.
Pavarësisht dhënies së ndihmës së parë, ajo nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra. Identiteti i saj nuk bëhet ende i ditur.
vdekja.png
Ndërkohë, Shefi i policisë së Uashingtonit, Robert Contee ka zbuluar bilancin e personave të arrestuar pas trazirave në Kapitol.
Sipas tij, deri më tani, policia ka bërë të mundur arrestimin e 13 personave. Tre prej tyre ishin nga Arlington, ndërsa 10 të tjerë ishin nga jashtë rajonit të Uashingtonit.
Contee u tha gazetarëve se protestuesit përdoren substanca kimike për të thyer barrierën policore .
“Kishte shumë trazira. Ishte e qartë që turma synonte t’i shkaktonte probleme oficerëve tanë,”tha Contee.
Tashmë ambientet e Kapitolit janë boshatisur, me policinë që ka vënë qetësinë në “shtëpinë” e Senatit amerikan, i cili ishte mbledhur për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në vend.













