Fëmijët shqiptarë do të kenë një ambient të ri ku do të shijojnë shfaqjet me kukulla, por pa qenë nevoja të shembet godina e vjetër e Teatrit të Kukullave, pasi është një monument historik. Burime nga Bashkia e Tiranës, bënë me dije për Dosja.al se lajmet e publikuara sot në media, nuk janë të vërteta dhe se nuk do të ketë asnjë shembje godine. Të njëjtat burime theksuan për Dosja.al se pas ndërtimit të Teatrit të Ri të Kukullave, godina e vjetër do të kthehet në një muze.
“Godina e vjetër nuk do të shembet, por do të kthehet në një muze. Nëse ndërtohet një teatër i ri kukullash, s’do të thotë që do të prishet i vjetri. Teatër kukullash do bëjmë por, jo prishje godine se është monument historik,”- treguan burimet nga Bashkia e Tiranës për Dosja.al.
Ndërtesa ku sot ndodhet Teatri Kombëtar për Fëmijë (TKF) ose siç quhet ndryshe Teatri i Kukullave ka qenë selia e legjislativit shqiptar në vitet 1925-1944 dhe me ardhjen e komunistëve në pushtet ndërtesa shërbeu si selia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Më pas, kjo godinë prej 60 vitesh funksionoi si Teatri i Kukullave.
Ministria e Kulturës ka hapur një tender me procedurë “shërbim konsulence” dhe me objekt “hartim projekti për ndërtimin e një objekti/qendre të re multi funksionale në funksion të së ardhmes së edukimit artistik të fëmijëve në kryeqytet, pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave”. Fondi për këtë tender është 41 666 667 lekë të reja pa TVSH dhe në dokumente shkruhet se kohëzgjatja e kontratës është 30 ditë. Tenderi do të zhvillohet në datën 20 tetor dhe gjithçka do të mbyllet brenda këtij viti.
Vetë kryebashkiaku Veliaj më 11 shkurt të vitit 2020 deklaroi se në respekt të historisë, godina ku u mblodh Këshilli Kombëtar që ishte njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar që sot shërben si Teatri i Kukullave do të kthehet në një shtëpi muze.
“Në 27 Mars 1920, pra pak më shumë se një muaj nga shpallja kryeqytet, u mblodh Këshilli Kombëtar, që është njëkohësisht edhe Parlamenti i parë shqiptar, në godinën ngjitur, që sot shërben si Teatri i Kukullave. Shumë shpejt do ta rikthejmë në një shtëpi muze për Parlamentin shqiptar, për ta transferuar Teatrin e Kukullave në një ndërtesë tjetër moderne, e për t’u siguruar që në shekullin e dytë kthejmë kokën pas për të kujtuar atë pikë reference të Parlamentit shqiptar”, tha Veliaj.