“Ikni andej nga keni ardhur, na keni zënë frymën”, shefja e vaksinimit te ‘Air Albania’ del edhe mbi Ramën, zihet me qytetarët që në mëngjes
Në një kohë që muaji Gusht është deklaruar muaji i hapur i vaksinimit për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç, procesi në terren nuk duket se po shkon edhe aq vaj.
Pas sinjalizimit se pranë stadiumit Air Albania po aplikohen vaksinat Pfizer, që duket se janë të preferueshme për shumë prej shqiptarëve, dhjetra qytetarë janë dyndyr drejt kësaj pike vaksinimi.
Duke qenë se autoritetet nuk i kanë bërë si duhet llogaritë, gjatë mëngjesit të sotëm ka pasur përplasje mes stafit dhe qytetarëve, për shkak se ka mbaruar sasia e dozave që kanë qenë në dispozicion.
Burime për media bëjnë me dije , se shefja e vaksinimit për këtë pikë, e identifikuar me emrin Vjollca, ka ofenduar qytetarët duke iu kërkuar që të kthehen në vendin e lindjes, edhe pse shumë prej tyre në fakt punojnë dhe jetojnë në Tiranë.
“Ikni nëpër rrethet tuaja, na keni marrë frymën në Tiranë”, u ka thënë ajo qytetarëve.
Kjo deklaratë e saj bie ndesh me ato të bëra nga zyrtarë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe Ministren Manastirliu, të cilët kanë thënë se i vetmi kusht për të marrë vaksinën është paraqitja e kartës së identitetit dhe të qenit mbi 18 vjeç.