Përfundon me sukses “Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë”-2024.
Për tri ditë-mbrëmje me radhë, në datat 08, 09, 10 Gusht 2024, 22 grupe polifonike u ngjitën në të tri netët e Edicionit të Dytë të Festivalit Folklorik të Bashkisë Selenicë.
Mbi 200 këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë për tri mbrëmje me radhë e kthyen Kotën në një sofër të madhe të folklorit e këngës tradicionale labe.
Si asnjëherë më parë të bërë bashkë kaq shumë këngëtarë të këngës tonë labe, të gjithë bashkë shënuan ngjarjen më të madhe kulturore të zonës duke përcjellë mesazhe të forta të ruajtjes dhe përcjelljes me plot dashuri të trashëgimisë shpirtërore si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës jo materiale të zonës.
Bashkia falenderon të gjithë festivalistët si dhe të gjitha grupet pjesëmarrëse ( konkurues e të ftuar) të cilët me performancat e tyre treguan seriozitet në përgatitje por edhe vlera të qenësishme në këngët e interpretuara!
Falenderon të gjithë artëdashësit e zonës, banorët e Kotës sidomos, të cilët për tri mbrëmje ndoqën me shumë kreshëri festivalin duke e kthyer qendrën e Kotës në një mjedis të vërtetë festiv!
Falenderojmë gjithashtu të gjithë ata që me kontributet e tyre ndihmuan në ralizimin me të gjitha parametrat bashkëkohorë realizimin me sukses të aktivitetit si Këshillin e Qarkut Vlorë, Drejtorinë Rajonale të Kultutës Kombëtare dhe miqtë tanë nga z. Regione Pulia, Itali!
Festivali ishte me karakter garues ku në fund juria e përbërë nga: Prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”; Kristo Çipa, ” Mjeshtër i Madh” dhe Bexhet Mahmuti, këngëtar i shquar shpallur “Personalitet i Qarkut Vlorë”, ndau këto çmime:
- Çmimi i Parë – Grupi Polifonik i Sevasterit
- Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik i Lubonjës
- Çmimi i Tretë – Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
- Çmimi i Tretë – Grupi i Vllahëve , Selenicë
Urime të gjithëve e mirë u takofshim në Edicionin e Tretë të Festivalit, Gusht 2025!