Ka nisur që prej orësh 10:00 seanca maratonë, ku do të bëhet votëbesimi i kabinetit të qeverisë “Rama 3”. Seanca e sotme ka nisur me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili për më shumë se një orë ka renditur të gjitha pikat e programit të tij që do të hidhet në zbatim për 4 vitet e ardhshme, por nuk ka lënë pa përmendur edhe mesazhet e tij politike ndaj opozitës, duke kërkuar edhe njëherë bashkëpunim.
Fjalën nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë e ka nisur me prezencën e grave në kabinet, ndërsa opozitës edhe njëherë i shtriu dorën për bashkëpunim teksa vuri edhe “vijat e kuqe” me ta. Rama tha se nuk presin bashkëpunim për gjithçka me ta, por shtoi se duan komunikim, duke theksuar se nuk do të pranojnë më asnjë ndërmjetësues të huaj për të zgjidhur krizat në vend. Po ashtu, ai ka folur për premtimet duke bërë një ndryshim të fundit dhe të paparashikuar në program; rritjen e pagave për solistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa për pensionistët tha se kishte mbi tryezë një plan për të bërë rritje por nuk e cilësoi si premtim, por angazhim pa dhënë një datë se kur mund ta mbajë. Kryeministri Edi Rama tha se gjatë mandatit të tretë synohet rritja graduale e pagës minimale deri në 40 mijë lekë të reja deri në fund të mandati.
Nga premtimet, Rama mbrojti nismën “Ballkani i Hapur” ku tha se kjo i shërben të gjithë rajonit që të fuqizohen dhe për ‘të nxjerrë’ vetë gomarin nga balta pa pritur Brukselin, ndërsa nuk u kursye duke përmendur rolin e Kosovës dhe kundërshtarët e nismës. Ai shtoi se pas kësaj nisme nuk fshihet asnjë teori konspirative. Ndërsa ceku edhe çështjen e integrimit në BE-ë, ai ripërsëriti se kjo gjë nuk varet nga qeveria, por nga politika e brendshme e shteteve anëtare në BE.
Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi programin e ri qeverisës, tha se turizmi do të hyjë në një fazë historike, pasi do ta nisa puna për ndërtimin e 4 porteve historike, por u “hoqi veshin” të gjithë kryebashkiakëve duke i kërcënuar se nëse nuk mbajnë pastër ambientin, nuk do të përfitojnë asnjë grant investimi. Teksa ishte tek ambienti, Rama prezantoi edhe nismën që do të ndërmerret shumë shpejt. Pas 9 muajsh, 1 qershor 2022, në vend nuk do të ketë më qese plastike.
Në fjaën e Ramës, drejtësia ishte gjithashtu një pikë që e ceku disa herë. Kryeministri Edi Rama theksoi se cilido që do të shkojë para drejtësisë nga radhët e ekzekutivit do të duhet të mbrohet i vetëm. Ndërsa shtoi se edhe krerët e botës së krimit, e të tjerë që i kanë llogaritë e hapura me ligjin nuk e bëjnë më gjumin e qetë e fshihen skutave.
Ndrësa teksa fliste për pandeminë, ndodhi dhe debati i parë mes Ramës dhe kryedemokratit Lulzim Basha, ku të dy iu adresuan njëri-tjetrit. Teksa Rama nënvizonte se vendi nuk u gjunjëzua në kohën e zezë të pandemisë duke i akuzuar dhe se kishin “bërë aleancë” me virusin, ndërsa Basha nga vendi i kujtoi sipas tij numrin e vërtetë të viktimave, 16 mijë. E vetmja që ndërhyri dhe “shoi gjakrat” ishte kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
Pas përfundimit të fjalës së kryeministrit, deputetët kanë dalë në pushim e do të rikthehen në orën 13:00, pasi eanca e sotme do të përbëhet nga tre pjesë. Pasi të kthehen deputetëve do t’u jepet koha që kreu i qeverisë të përballet me pyetjet e tyre, e pasi pyetjet të kenë mbaruar, në Kuvend do të ketë kohë për debat të lirë, në mënyrë që të bëhet votimi për përbërjen e këshillit të ministrave apo të programit të qeverisë.
RENDI I MBETUR:
– Përgjigjet e pyetjeve nga Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 3 të Rregullores, ora 13:00
– Debati mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 4 të Rregullores, ora 16:00 (Referuar kohës së debatit të përcaktuar në Konferencën e Kryetarëve) Hapja e debatit
– Koha e votimit
Kreu i qeverisë Rama dhe ministrat e tij do të duhet që të marrin votëbesimin në Kuvend, për t’u betuar më pas tek Presidenti, i cili duket se është gati të pranojë betimet e të zgjedhurve pasi u sigurua që asnjë nuk është nën hetim. Partia Socialiste ka 74 mandate të fituara nga zgjedhjet e 25 prillit, kundrejt 59 që ka fituar Partia Demokratike, ndërsa pjesa e mbetur nga 140 deputetë është ndarë mes 4 përfaqësuesëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 3 të tjerëve nga Partia Social Demokrate.