Nga Alfred Lela
Politologu Max Weber thotë në një prej librave të vet se, edhe shfaqja e ‘profetëve politikë’ shkon
sipas parimit kërkesë-ofertë: ka nevojë për ta, pa lindin. Profetët, ata të rrjeshmit, krijohen prej
distopive dhe krijojnë distopi (shoqëri ose rend i imagjinuar). Këtë përshtypje të krijonte një
status në Facebook të premten i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi.
Ai e fillonte me një mënyrë të pandershme krahasimi duke vënë përballë shifrat e aksidenteve të
gjysmës së parë të 2019 me ato të 2020. Them të pandershme për të mos thënë idiote, por i
takon zotërisë që të zgjedhë mes firaunit dhe gomarit, por shpresoj te e para.
Nuk mund të krahasohen shifrat e aksidenteve të të dy viteve, për arsye se 2020, që ka hyrë e
nuk ka dalë ende, është i përshkuar nga pandemia globale, që do të thotë nga karantina të
njëpasnjëshme, nga gjendje emergjence, nga bllokime kombëtare e ndërkombëtare. Mjafton të
kujtosh se shqiptarët nuk mund të udhëtojnë në asnjë vend në Europë, hiq Turqinë. Po ashtu
Shqipëria është në ‘listën e kuqe’, që ua bën të vështirë europianëve e të tjerëve të udhëtojnë
drejt vendit tonë. Edhe dy trafiqet më të mëdha të rrugëve tona, emigrantët dhe kosovarët, janë
pjesërisht të kushtëzuar nga kjo bllokadë e përgjithshme.
Një element të pashmangshëm përbën pamundësimi i lëvizjes për gati dy muaj në rrugët e
Shqipërisë. Të krahasosh marsin dhe prillin e këtij viti me atë të 2019 dhe të nxjerrësh rezultate
aksidentesh dhe ulje vdekshmërie, më shumë se idotësi dhe dhelpëri, është … .
Por, zotin ministër nuk ka prift që e ndal: që nga Egjipti i lashtë e deri në Firence. Për shkak se ai
ka hequr dorë nga dogmat e logjikës dhe të fesë për t’ju bindur Rilindjes socialiste. Nga një njeri i
disiplinës, moralit dhe kodeve ushtarake ai është shndërruar në vartës të një ideologjie
mashtrimi.
Shfaqet kjo, e plotë si hëna mbi një mal në Mirditën e tij, te një tjetër piruetë në statusin e së
premtes. Ku ai premtonte zerim të vdekshmërisë në aksidente deri në vitin 2050. Përveçse është
një profeci mashtruese më shumë se platforma e një dinjitari shtetëror, ky pretendim shfaq një
reminishencë dhe një rrezik.
Reminishenca është te punonjësit e ndërmarrjeve socialiste përgjatë diktaturës të cilët shpallnin,
në vitin 1980 p.sh., se e kishin realizuar planin për atë vit dhe, me ritmin që kishin po punonin për
vitin 2010. Këta, dhe të tjerë me arritje të ngjashme, ose që vdisnin duke u munduar për të
jetësuar këto projeksione, shpalleshin nga regjimi Heronj të Punës Socialiste. Mund të gjesh ende
gjallë nëpër Shqipëri ‘heronj’ të tillë, nga lavida e të cilëve ka mbetur vetëm teneqeja e një
dekorate dhe shëmtia e iluzionit të ‘ndërtimit të socializmit me forcat tona’.
Ndërsa reminishenca është më shumë një ajgëtim antropologjik, çka e bën të rrezikshme
lleshlogjikën është pikërisht ‘profecia’ e saj. Përfundimi se ne qeverisemi nga burra dhe gra që
janë shkëputur nga e përditshmja e vendit të tyre dhe jetojnë realitete paralele. Ata udhëhiqen
nga efektet dhe ngjyrat, jo nga kuptimi dhe logjika; zgjohen në mëngjes të armatosur me pompë
grimasash të cilën e shfryjnë në Facebook e Tweeter, dhe jo me merakun e lashtë të përmirësimit
të Shqipërisë dhe jetës së bashkëkombasve; ata mjaullijnë projeksionin e fjalëve të veta te Lideri
Maksimal, në vend që të projektojnë të mirën individuale dhe kolektive te aktiviteti i përditshëm;
ata e shohin veten, jo si shërbestarë të publikut dhe shtetit, por si bimbashë postesh.
Kjo ju lejon që, në vend të programeve zhvilluese, të bëjnë profeci mpirëse.
Zoti ministër: Ka vetëm një mënyrë për ta ulur në zero vdekshmërinë nga aksidentet. Të kthehemi
në kohën e ‘heronjve të punës socialiste’, prej nga ju e keni marrë hua logjikën dhe esprit-në e
gjërave. Në një Shqipëri që ende nuk është ngopur me konsumin, dhe ende është vend në
zhvillim, kjo parabolë foshnjërake ju fut në borxh me detyrën që okuponi dhe me ata që qeverisni./Politiko.alShpërndaje:FacebookFacebook Messenger












