Berisha jep sinjalin nga Lezha, Gjin Gjoni pritet te jete kandidati i opozites për Bashkinë, akuza ndaj Pjerin Ndreut
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte këtë të martë në Lezhë, ku zhvilloi “Foltoren e Ripërtëritjes”, në një sallë të mbushur me mbështetës demokratë.Takimi shërbeu edhe si një sinjal i nisjes së betejës së demokratëve për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, ku një prej objektivave kryesore të Partisë Demokratike është rikthimi i Bashkisë së Lezhës nën drejtimin e saj.Përballë mbështetësve të shumtë, brohoritjet e sallës për deputetin Gjin Gjoni tërhoqën vëmendjen. Në fjalën e tij, Berisha la të nënkuptohej se Gjoni do te jetë kandidati i demokratëve për Bashkinë e Lezhës, duke e paraqitur atë si një figurë që do te udhëheqë përmbysjen politike në këtë bashki, e cila prej dy mandatesh drejtohet nga socialistët.
Në takim u vu re edhe prania e deputetit Arjan Ndoja, i njohur për ndikimin e tij politik në këtë zonë. Prezenca e tij në krah të demokratëve shihet si një tjetër sinjal për angazhimin e strukturave të PD-së në betejën për Lezhën.
Por nga podiumi, Berisha rezervoi kritika të forta edhe për kryebashkiakun aktual, Pjerin Ndreu.
“Jep dorëheqjen tani, se të garantoj që të gjitha pasuritë do të konfiskohen”, deklaroi Berisha, duke akuzuar Ndreun për shkelje dhe duke thene se pasuritë e tij, përfshirë ato në Zvërnec, do të jenë objekt konfiskimi.Në fjalën e tij, kreu i demokratëve iu referua edhe asaj që e quajti një “skedë dixhitale”, për të cilën tha se përmban të dhëna mbi aktivitetin dhe pasuritë e kryebashkiakut të Lezhës.
Vizita e Berishës në Lezhë vjen në një moment kur Partia Demokratike po nis organizimin e strukturave në terren për zgjedhjet vendore, ndërsa beteja për Bashkinë e Lezhës pritet të jetë një prej garave më të forta politike në këtë qark.














