RTSH çel garën për drejtorin e ri, kandidatët do të dorëzojnë dokumentet në zarf (AFATI KOHOR)
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar është mbledhur këtë të enjtë dhe ka vendosur të çelë zyrtarisht garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH.
Kjo lëvizje vjen pak kohë pas arrestimit të ish-drejtorit Thoma Gëllçi, i cili akuzohet për mashtrim me tenderat për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), afërsisht 1 mln dollarë me TVSH.
Sipas njoftimit gara do të quhet e hapur zyrtarisht me datën 1 Nëntor 2021, ku kandidatët e interesuar do të kenë mundësi të dorëzojnë aplikimet e tyre.
Kandidatët mund të dorëzojnë dokumentacionin e tyre më zarf të mbyllur për një periudhë 10 ditore që nga data e hapjes së garës, ku do të kenë afat nga data 1 deri më 10 Nëntor 2021.
Këshilli Drejtues i RTSH bën vlerësimin e kandidaturave dhe me votim të fshehtë vendos përfshirjen e tyre në garë, duke i renditur emrat sipas rendit alfabetik.