Elbasan
NGA FATMIR POPJA
Rivitalizohet qendra e fshatit turistik Gjinar në Elbasan
-Rivitalizimi i Qendrës së Gjinarit Turistik ka nisur tashmë me ritme intensive, duke synuar transformimin e kësaj zone në një destinacion të rëndësishëm për turistët dhe banorët lokalë. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit ,Gledian Llatja, ka kryer gjatë kësaj fundjave një inspektim të afërt të punimeve që po kryhen aty dhe ka vlerësuar progresin e arritur deri tani.Projektet përfshijnë një ndryshim të rëndësishëm të zonës së Gjinarit , duke përfshirë ndërtimin e një infrastrukture të re, përfshirë kanalizimet, trotuarët, ndriçimin, një park shlpodhës dhe një kënd lojrash . Fusha e Kuqe, një zonë sportive e rëndësishme, ka marrë një pamje të re dhe tërheqëse, ndërsa një segment rrugor i ndërtuar me gurin karakteristik të Gjinarit do të lidhë të gjitha pjesët e zonës së qendrës së fshatit deri te Lapidari.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka theksuar se, përveç këtyre investimeve, projekti i transformimeve përfshin edhe ndërtimin e një muzeumi dhe të një qendre informacioni për të gjithë zonën e Shpatit, ku do të shpalosen traditat dhe kultura e kësaj zone. Kryebashkiaku Llatja e ka cilësuar këtë si një premtim të mbajtur për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e turizmit në zonën e Gjinarit.“Problemi i vonesës për nisjen e punimeve ishte mbyllja e shpronësimeve, e cila ndikoi në afatet e zbatimit të projektit. Megjithatë, tani jemi në kohë dhe këto ditë do të hidhet asfalti. Ky është një projekt kompleks dhe ambicioz që do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Gjinarit,” tha Kryetari Llatja.Rivitalizimi i Gjinarit pritet të rrisë tërheqjen e vizitorëve dhe të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e biznesit lokal, duke pasuruar ofertën turistike të Elbasanit dhe duke kontribuar në mirëqenien e komunitetit lokal.Gjinari i Elbasanit është një nga destinacionet më të njohura të turizmit malor në Qarkun e Elbasanit ku gjatë 30 viteve të fundit i është kushtuar rëndësi e madhe nga vendasit zhvillimit të industrisë së turizmit .