– Kuvendi i Shqipërisë ëhstë tërhequr nga vendimi i marrë një muaj më parë për të mbyllur dyert e tij për gazetarët, vendim që solli dhe protestën e raportuesve të politikës.
Në një postim në Instastory, gazetarja Esiona Konomi shkruan se tani gazetarët dhe kamerat do të mund të jenë pjesë e komisioneve. Siç duket, para largimit nga politika, Gramoz Ruçi ka vendosur që të ‘shkrijë akullin’ dhe ka tërhequr vendimin që la gazetarët jashtë Kuvendit.
“Kuvendi tërhiqet. Lejon gazetarët dhe kamerat të hyjnë në Komisione,”- shkruan Konomi krah fotos ku shihet dhe vendimi i marrë nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Lidhur me kërkesën për lejimin e prezencës fizike të gazetarëve në komisionet parlamentare si dhe lejimin e përdorimit të aparateve celularë në ambiententet e komisioneve nga ana e tyre, kjo kërkesë merret në konsideratë, duke u mundësuar atyre aksesin e plotë të çdo informacioni, përtej asaj që mundëson sistemi,”– shkruhet ndër të tjera në vendim.

Çfarë parashikonte vendimi i Gramoz Ruçit?
Më 4 qershor, Kuvendi i Shqipërisë publikoi vendimin që përjashton gazetarët nga transmetimi i pavarur i punimeve të Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare. Ky vendim synonte që ti “akomodonte” gazetarët në një zyrë, ku do të ndjekin përmes ekraneve dixhitale punimet e Komisioneve. Vendimi bie ndesh me të drejtën e raportimit dhe transparencën që zyrtarët e lartë kanë për detyrim t’ju japin qytetarëve dhe për rrjedhojë gazetarët dolën në protestë.