MES TALENTESH TË RINJ KURBINAS
-Reportazh mbi konkursin “Letrari i Vogël”- Një punë e pa lodhur, dhe e kujdesëshme e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Kurbin, nën drejtimin e mësueses së pasionuar Mara Nikolli dhe stafit të mrekullueshem të saj, do të bënte që në çdo shkollë 9-vjeçare të Kurbinit, një juri profesionale të përzgjidhte talentet më të mirë krijues dhe interpretues. Ata ishin të shumtë, ishin disa nga sejcila shkollë, ndaj dhe vlerësimi me çmime do të ishte i vështirë. Për të qenë sa më transparent do të ngrihej një juri e pa anëshme dhe pa konflikte interesi. E them pa konflikt interesi, pasi si kudo edhe në Kurbin ka mësues krijues që japin mësim në këto shkolla, dhe për të shmangur ndonjë keqkuptim u lanë jashtë jurisë. Unë si krijues letrar, si poet dhe intelektual në këtë rreth, pata nderin të jem pjesë e kësaj jurie në cilësinë kryetarit sëbashku me dy mësueset Bardha Pojani Drejtore e Arsimit dhe e Kulturës në Bashki dhe Anila Dajçi specialste pranë Drejtorisë Arsimore Kurbin. Sapo u mblodhëm si juri, na u vunë përpara krijimet e shumta letrare, sejcili nga ne e ndjeu veten me një përgjegjësi të madhe. Vendimi i parë që morëm mes nesh ishte vlerësimi sa më i drejtë dhe i pa anshëm për sejcilin krijues dhe veçanerisht ne, të mos ndikonim aspak përmes vlerësimeve tona të demoralizonim krijuesit e rinj. Përgjegjësia në këto raste është e madhe. Vërtetë është nder dhe respekt të jesh pjesë e këtyre aktiviteve letrare, por jo pak e vështirë të jesh në rolin e jurisë për të përzgjedhur talentet e rinj më të spikatur. Pas një leximi me kujdes e vëmendje të çdo krijimi letrar, qoftë ai poezi apo prozë, arritëm të vlerësojmë talentet më të spikatur, Këtu mbaroi puna jonë për këtë ditë, por vlerësimi i saj do të përcaktohej në ditën e ndarjes së çmimeve. Dhe ajo ditë nuk zgjati më shumë se dyzet e tetë orë, ku salla e shfaqeve të pallatit të kulturës së Laçit do të mbushej plot me nxënës krijues, interpretues, mësues dhë prindër në takimin final të ndarjes së çmimeve. Nuk do ti mungonte kësaj salle as ish mësuesja e letërsisë, ideatorja dhe organizatorja e këtij aktiviteti, që e shndërroi gjithë muajin tetor në muaj të artit, sot në cilësinë Kryetares së Bashkisë Zonja Majlinda Cara e cila mbajti një fjalim të shkurtër emocionues për mbështetjen e fëmijëve dhe veçanërisht të atyre të talentuar. Kujdesi dhe meraku i stafit organizator ishte i madh. Ishte kushtuar vëmëndje çdo detai që nga dekori i skenës, fonia, përshendetjet, vallet, recitimet e interpretimet e gjer te ndarja e çmimeve. Moderatoret Uendi Cara dhe Era Gjoni e moderuan aktivitetin mjeshtërisht, me shumë talent dhe pasion, duke ja dhënë vlerën që meritonte, duke e shndërruar në spektakël të mirfilltë. Pas interpretimeve të shkëlqyera të mjaftë nxënësve të talentuar, rradha do i vinte Jurisë për të ndarë çmimet vlerësuese. Sapo na ftuan të ngjiteshim në skenë, emocionet u shumfishuan, Nxënësit e njihnin njëri tjertrin si krijues, e dinin kush është i miri, ndaj dhe duartrokitjet e tyre ishin një vlerësim i punës sonë. I falenderuam të gjithë të pranishmit dhe veçanërisht krijuesit, i’u kërkuam ndjesë për çdo subjektivitet tonin dhe i përgëzuam dhe uruam për çmimet e fituara.
U vleresuan me çmime të para në poezi nxëneset:
- Joana Hima nxënëse e ciklit të ulët e shkollës Besnik Syla Mamurras me poezinë “Libri Im.
- Ana Doda, shkolla Nik Tom Prela cikli i lartë Gorre me poezinë “Jeta”
Si dhe ne prozë me çmim të parë nxenesit. - Besjana Marku Shkolla “Nik Tom Prela” Gorre cikli i ulët me esenë “Mos ki frikë”
- Alondra Parashqevi Biba Shkolla “Ismail Dema” cikli i lartë Fush Mamurras për esenë “Me kë tu njoh”
U ndan edhe çmime të dyta, të treta dhe çmime inkurajues per krijuesit më të mire.
U ndjemë mirë, sejcili nga krijuesit letrarë mbeti i kënaqur nga vlerësimi ynë. Buzëqeshjet e tyre, duartrokitjet dhe ovacionet në sallë, ishin për ne po aq të shenjta sa cmimet e tyre. Edhe ne morëm “Çertifkaten e Mirnjohjes” prej tyre.
Skena u mbush me fitues, interpretues e miq të tyre, fotografitë si në çdo eveniment do të fokusonin gëzimin e entuziazmin e të pranishmëve. U ndamë të lumtur që bëmë më të mirën e mundëshme. Shtërnguam duart dhe uruam njëri tjetrin për realizimin me sukses të këtij aktiviteti që e bëri qytetin e Laçit sot qytet të hareshëm.










