Redjan Rraja i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ka bërë rekurs vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për izolimin e tij në regjimin e posaçëm “41-bis”.
Pritet që çështja tashmë të shqyrtohet nga anëtarët e gjykatës. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Redjan Rraja, Aleksandër Llanaj dhe Fatmir Pjetri më 22 nëntor u dërguan në regjimin “41-bis”.
Sipas vendimit tre të dënuarit do të qëndrojnë të kontrolluar në çdo lëvizje që bëjnë në qeli për një periudhë 1 vjeçare.
Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.
Policia gjeti të braktisur në Shkafanë një automjet të braktisur, i cili u përkiste atentatorëve. Prokurori ka thënë se ka dy prova shumë të rëndësishme që lidhen me ADN e Redjan Rrajës, ndërsa i akuzuari tjetër Arjol Halilaj dyshohet se është personi që ka fshehur mjetin dhe atentatorët.
Ndërkohë para trupës gjykuese Raja ka mohuar akuzat se ka lidhje me ngjarjen.
“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen.Më janë marrë gjurmët e gishtave, nuk e di si janë përdorur. Në një rast më janë marrë pa praninë e avokatit. Më kanë marrë shumë rroba në makinë pas arrestimit”, ka thënë ai më herët.