Mesa duket kam nisur ta bëj mirë punën e re në parti, përderisa u rivura në shënjestër nga ata që nuk dinë të bëjnë punën e tyre! Të paktën të dinin që “Albpetroli” nuk ka shitur ndonjëherë gaz, se as blerës nuk ka. Nuk po pretendon njeri që të nxirrnin kontratën e shitjes, sepse ajo nuk ka sesi ekziston, kur shitje s’ka pasur!
Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, jo për të sqaruar “idiotët e dobishëm”, që publikojnë lajme të rreme apo sponsorizojnë ato ekonomikisht dhe politikisht, vlen sqarimi sa më poshtë:
Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe Gaz Shoqërues (Gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik.
Ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e Bashkimit Europian, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF). E njëjta metodologji përdoret për naftën, ku çmimi përcaktohet sipas BRENT (Bursës së Londrës).
Fituesi i Ankandit u shpall kompania CGC me çmimin 80% të bursës. Pra nuk ka një çmim fiks, por çmimi është referencë e çmimit të bursës. Gjithsesi, kompania fituese e Ankandit nuk u paraqit për të lidhur kontratën për blerjen e gazit. Në këto kushte, “Albpetrol” sh.a bëri ekzekutimin e garancisë së ofertës, duke ndjekur rrugën ligjore. (Bashkëngjitur njoftimi për konfiskimin e sigurimit të ofertës)
Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij.
Kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojne se Kisha nuk kishte fare këmbanë.😄