UGSH denoncon dhunën dhe kërcënimet kriminale ndaj gazetarëve në Mitrovicë. Kërkojmë ndëshkimin ligjor të individëve që kërcënojnë dhe pengojnë raportimin e lirë në rajonin kufitar të Kosovës me Serbinë
-Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë më 13.11.2021
Episodet e dhunshme të ndodhura sot në lagjet e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës mes elementëve agresivë, individëve të krimit dhe efektivëve të policisë së Kosovës, janë shqetësuese për opinionin publik jo vetëm në Kosovë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i njohur nga kolegë dhe organizata të gazetarëve në Kosovë dhe rajon se gjatë kësaj dite agresiviteti dhe kërcënimet fizike janë manifestuar edhe ndaj reporterëve të mediave vendase. Rreziku dhe kërcënimet e elementëve të inkriminuar, përfshi edhe individë radikalë të tubuar në mjediset para organeve të policisë, kanë qenë të papranueshme. Protestuesit në disa raste kanë sulmuar dhe goditur me mjete të ndryshme grupin e reporterëve dhe operatorëve të mediave të ndryshme si dhe kanë qenë agresivë në krejt orët e protestave dhe episodeve të ndodhura.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga autoritetet zyrtare të shtetit të Kosovës të garantojnë sigurinë ndaj gazetarëve në detyrë, të venë para përgjegjësisë ligjore çdokënd që guxon të pengojë dhe kërcënojë reporterët. Inkurajojmë të gjithë kolegët që raportojnë nga Mitrovica të vijojnë kurajshëm punën dhe misionin e tyre informues.
Kërkojmë nga të gjitha organizatat simotra të rajonit të solidarizohen me kolegët gazetarë në Kosovë dhe reagimin e forumeve më të rëndësishme në vendet e BE-së që mbrojnë liritë themelore dhe sidomos atë të shprehjes dhe raportimit.
Zyra informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë