Reagim Publik
Të nderuar miq, bashkëqytetarë dhe kolegë!
Ditën e sotme, personalisht jam hasur me një rast të paprecedent dhe jashtë çdo logjike njerëzore dhe ligjore. Shtetasi Ylli Blacëri, i njohur me pseudonimin “Ylli Cepi” dhe me detyrë shofer në Bashkinë e Pogradecit, më ka ofenduar dhe kërcënuar gjatë një aktiviteti të mbajtur pranë Bashkisë në Pogradec. Ky akt është ndërmarrë nga personi në fjalë si një mënyrë për të më penguar dhe presionuar për shkak të detyrës sime. Në këto kushte, i jam drejtuar Komisariatit të Pogradecit, ku kam bërë kallëzim penal për këtë shtetas, i cili ka ndërmarrë një akt hajvanërie dhe vagabondizmi duke fyer një gazetar që është në krye të detyrës.
Në dukje, individë të tillë, me detyra minimaliste në administratën publike dhe që ndërmarrin akte të dhunshme, nxjerrin në pah arrogancën që qytetarët e Pogradecit hasin çdo ditë. Akte të tilla, për mua personalisht, janë sinjale që tregojnë se në vende si Pogradeci, detyra ime si gazetar duhet të intensifikohet dhe të nxjerrë në pah shkeljet apo abuzimet që mbrohen nga persona të tillë.
Sot kam një thirrje për institucionin e Policisë së Shtetit dhe Institucionet e Drejtësisë, të cilat duhet të japin një shembull të denjë për individë të tillë, që tentojnë të shtypin fjalën e lirë dhe misionin e shenjtë të gazetarit. Qartësisht, nuk pres ndonjë reagim nga Bashkia e Pogradecit, e cila përfshin shumë njerëz të tillë që si gjuhë komunikimi kanë vetëm dhunën dhe rrugaçërinë. Padyshim, kjo histori shantazhi nuk përfundon këtu. Unë, as në këtë rast, nuk do të tërhiqem nga puna ime e përditshme dhe gjurmimi i të vërtetës, në një qytet ku po lulëzon korrupsioni dhe aferat publike. Elementë të tillë dhe gjuha rrugaçërore e mbushur me kërcënime, e përdorur nga ana e tyre, më bëjnë më të fortë.
Falënderim dhe vlerësim për të gjithë miqtë që kanë reaguar për situatën dhe për ata që më kanë komunikuar në këto momente. Yllin dhe “yjet e ditëve të shkurtra” po ia lë ligjit, ndërsa fokusi im do të vazhdojë të jetë vetëm informimi i drejtë i qytetarëve.
Me respekt dhe përulësi,
Armand Braho