Vrasja e 23-vjeçares, Spiropali: Hetim i thelluar në gjithë hallkat e zinxhirit prokurori-gjykatë.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i kërkoi sot Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të kryejë hetim të thelluar në gjithë hallkat e zinxhirit prokurori-gjykatë, pas rastit të vrasjes së një 23-vjeçareje nga ish-bashkëshorti i liruar nga burgu.
“Sabrina 23 vjeç, nënë e një vajze 3 vjeçe, gjeti vdekjen makabre nga një kriminel i liruar rishtas në rrethana të errëta. Vrasja e grave dhe vajzave në familje është krim i llahtarshëm brenda një kodi maskilist patriarkal të atyre që gruan e shohin si pronë me të cilën mund të bëjnë gjithçka: ta mbajnë, ta shesin, ta blejnë, ta dhunojnë, e madje edhe ta asgjësojnë”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se “këto krime të rënda lehtësohen dhe ndihmohen nga padrejtësi sistemike dhe praktika korruptive në sistemin e drejtësisë”.
“Lufta kundër këtij fenomeni kërkon përgjegjësi institucionale dhe dënime shembullore, që raste të tilla të mos përsëriten duke lënë pas trishtimin dhe vulën e turpit mbi një shoqëri të tërë”, tha ajo.