Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat së bashku me përfaqësues të opozitës së bashkuar, dënoi votimin e sotëm të ndryshimeve kushtetuese nga ana e Kuvendit, duke e cilësuar shkelje me këmbë të të drejtave të shqiptarëve.
Sipas kryedemokratit, në 30 vjet pluralizëm kurrë nuk kishte ndodhur që kushtetuta të ndryshohej në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca dhe kurrë më parë nuk kishte ndodhur që rregullat e lojës së procesit zgjedhor të vendoseshin vetëm nga mazhoranca për të mbajtur pushtetin.
Ai tha se ndryshimet e njëanshme janë të papranueshme nuk janë të detyrueshme për opozitën dhe shqiptarët.
Sipas z. Basha, përpjekja e fundit e kryeministrit nuk do ta ndalë rotacionin përmes koalicionit të madh, që sipas tij opozita e bashkuar ka me popullin.
“Akti i sotëm tregoi edhe një herë fytyrën e autokratit Edi Rama. Kjo nuk do ta ndalë rotacionin politik. Koalicioni ynë është me njerëzit, me shqiptarët, jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim.
Do të kujdesemi që vendi të marrë frymë lirisht. Atyre që na kërcënojë me parti-shtet u themi se nuk ka kthim pas. Asgjë s’e ndal koalicionin mbarëpopullor kundër Ramës”, tha kreu i PD.