Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbritur për të bërë homazhe për Azem Hajdarin, në 23-vjetorin e vrasjes së tij. I shoqëruar nga djali i të ndjerit, Kiri Hajdari Berisha ka zgjedhur orët e darkës për të kryer këtë procedurë, e njëjta me kohën e ekzekutimit të Hajdarit. Nuk dihet nëse kjo është një rastësi apo ora është zgjedhur qëllimisht nga Berisha.
Gjithsesi mesazhi i Berishës mbante sërish nota proteste ndaj kryedemokratit Lulzim Basha. Pa i përmendur emrin, Berisha tha se vendimi i atij që qëndron në krye të PD-së duhet hedhur në koshin e plehrave dhe se Partia Demokratike, duhet vënë në piedestalin që meriton, aty ku e ka vënë vetë Hajdari.
“Erdha për tu përulur me nderimin më të thellë para veprës së pavdekshme, të tribunit legjendar, të revolucionit demokratik të Dhjetorit ’90, udhëheqësit dhe prijësit të Lëvizjes Studentore, Azem Hadjari dhe sivllaut të tij, Besim Çeres që u ekzekutuan këtu nga fallangat me uniformë të qeverisë, Portisë Socialiste. Azem Hajdari do të jetojë përjetë, do frymëzojë të rinjtë shqiptarë në çdo kohë për të qëndruar në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të saj. Askush nuk ka bërë për lirinë e shqiptarëve aq sa ka bërë Azem Hajdari. Por nderimi sot i figurës së Azem Hajdarit merr dhe një domethënie më të madhe se asnjëherë më parë, Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike të saj, po ashtu edhe Partisë Demokratike. Demokratët duhet të ngrenë kokën lart, trashëgimia e tyre e shkëlqyer u jep nder dhe frymëzim demokratëve në çdo kohë. Natyrisht një poshtërim i paparë ndonjëherë në historinë e partisë së lirive e të drejtave njerëzore, ka ndodhur. Ka ndodhur dhe jam i sigurtë se anëtarët e mbështetësit të PD-së do të dinë të hedhin në koshin e plehrave vendimin anti-statutor, anti-ligjor e anti-demokratik të atij që sot është në krye të PD-së dhe dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm interesin e tij personal. Merreni këtë prani këtu sot si një zotim para tribunit tonë, që ne PD-në do ta ngrejmë në piedestalin që meriton, që e ngriti ai me shokët e vet, bashkëluftëtarët e vetë, që demokratet dhe demokratët nuk ka forcë në botë që ti mposhtë ata, por të ecin të sigurtë më të sigurtë se kurrë, më të vendosur së kurrë për të përmbysur regjimin e pazareve dhe kakistokracisë,”- tha Berisha.