Nga RAMAZAN ÇEKA
SHKODRA I FESTON 91 VITET E FADIL KRAJËS
“Teatri “Migjeni” gjithmonë ka nevojë për mendimin dhe pendën tënde “Mjeshtër i Madh”.
Dramaturgu i njohur dhe autori i shumë veprave, i cili shpreson të ketë vënë “një guralec në ngrehinën e teatrit shiptar”, por ka bërë shumë më tepër, sot ka 91-vjetorin e datëlindjes. Gëzuar ditëlindjen e 91-të Mjeshtër! Të paçim sa më gjatë mes nesh!
Këtë shkrim që mora përsipër ta shkruaj dhe ta botoj në gazetë, kushtuar një ngjarjeje të shënuar, datëlindjes së shkrimtarit dhe dramaturgut të madh Fadil Kraja, nuk e pata të lehtë, sepse natyrisht dëshirat për të folur për të në hapsirat që lejon gazeta nuk mjaftojnë.
Të flasësh për Fadil Krajen, për këtë profesor në kuptimin e vërtetë të fjalës, për këtë krijues dhe erodit të shquar nuk është e lehtë.
I lindur në Shkodër 91 vite më parë (si i thonë në “një fjalë goje”) ky talent i ardhshëm u përkund në djepin e një qyteti siç është Shkodra, e cila në këtë kohë nga marrdhëniet që kishte me Europen, ishte edhe vetë një qytet që kishte përqafuar përparimin.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është biografia e këtij dramaturgu të shquar, pasi për të është shkruar shumë, por në këtë shkrim unë marrë guximin të bëj një krahasim të madh, për të cilin edhe lexuesit mendoj se duhet të jenë dakort.
Shekspiri i famshëm shkëlqeu kur krijoi dhe u bë i pavdekshëm, sepse njohu dramat e mëdha të kohës që jetoi dhe sepse arriti që këto drama t’ia trashëgojë njerëzimit si një pasuri për të cilën edhe kësaj dite ndjehet krenar.
I tillë është për ne Fadil Kraja, “Shekspiri” i Shkodrës dhe i Shqipërisë. I tillë është për ne ky dramaturg i madh i përmasave jo vetëm shqiptare, por edhe më gjërë, ballkanike po e po.
Shekspiri është gjigandi i letrave të dramaturgjisë botërore, Fadili është gjigandi i letrave të dramaturgjisë shqiptare.
Po shkruaj kështu, sepse ky krahasim qëndron. Në fund të viteve ’60, kur teatrit po i mungonte krijimtaria e penave shqiptare, erdhi në skenë pena e famshme e Fadil Krajës.
Ai erdhi në skenën e Teatrit “Migjeni” me të paren kryevepër të tij “Fisheku në pajë”, një dramë që suksesin e korri, jo vetëm për tematikën që tajtonte, por edhe për aftësinë e madhe të autorit, i cili kishte vite që akumulonte ngacmimet e një intelektuali të ri për t’i shfaqur me talentin e tij para një publiku që do t’i mirëpriste një ditë, do t’i miratonte dhe do t’i duartrokiste.
Në lidhje me këtë ka një rastësi shumë interesante, shoqëria shqiptare po përpiqej të emancipohej dhe misionin e parë për këtë gjithmonë e kanë artistët. Një ndër tribunat e këtij emancipimi qe edhe skena e teatrit të Shkodrës, që u bë tribunë, ku mendimin e këtij shkrimtari të madh e transmetuan për dhjetra netë me radhë më të zotët e fjalës, aktorët e mrekullueshëm të këtij teatri.
E pena e këti “Shekspiri” shkodran nuk pushoi kurrë së shkruari. Ai solli në këtë tempull pasqyrimin e historisë shqiptare, ai solli në këtë tempull, realitetin e jetës së qytetit të tij të dashur, të Malësisë dhe gjithë trojeve shqiptare, ai solli në këtë tempull, humorin e përditshëm, traditen e bukur, Shkodrën e tij.
Ai solli në këtë tempull, dramat e mëdha të kombit: “Gjaku i Arbrit” dhe “Baca i Gjetajve”, duke u bërë kështu përçuesi i mesazheve historike që as vetë sistemet shtetërore me të gjithë mekanizmat e tyre nuk arritën kurrë t’i transmetojnë.
Dramat e fuqishme të Fadil Krajës kanë përlotur masa të gjëra njerëzish, kanë ngrohur zemrat e mijëra shqiptarëve, por edhe kanë përbetuar mijëra zemra të tjera në trojet shqiptare, që një ditë mesazhet e dramave të tij të jenë pjesë e dëshmisë historike të një kombi.
Të gjitha këto sot janë realitet dhe në këtë realitet, një kontribut të shquar ka shkodrani ynë i nderuar, mësuesi i brezave të tërë, poeti, shkrimtari dhe dramaturgu, “Shekspiri” Shqiptar, Fadil Kraja.
Kam shkruar diku që Fadil Kraja nuk ka një studio të mirëfilltë, një zyrë, një sallon pritje, por ka një tavolinë në një lokal në qendër të Shkodrës, te “Tullat e kuqe” i thonë. Nuk është e rrumbullakët kjo tavolinë, nuk është tavolina e Mbretit Artur, por është sofra ku ai shpalosë gjithë dashurinë për ata që ulen aty, të rinj a të vjetër, intelektual dhe punëtorë, sepse Fadili është ai që shkodranët e kanë kurorëzuar me një kurorë të veçantë, atë të qytetarit të nderit.
Kushdo që ka ndjekur zhvillimet letrare pas viteve ’50 të shekullit të kaluar e deri sot, me siguri që emri i Fadil Krajës ka qenë ndër më të spikaturit edhe pse krijimtaria e tij si gjithkuj tjetër kaloj nëpër tallaze krijuese.
Një tjetër meritë e Krajës është se ndër të paktët krijues shqiptarë që kishin botuar sipas metodës së realizmit socialist, arriti të adaptohej e të shpalosë vlera të reja krijuese pa kufizime metodash, të trajtojë tematika të ditës me guximin e krijuesit elitar, duke dhënë kontribut në emancipimin e shoqërisë sonë.
Por, si çdo krijues, edhe ai ka relievin e vlerave të tij. Për mua si krijues e jo vetëm, ai ka arritur maja në fushën e dramaturgjisë aq sa, qofsha i pagabuar kësaj here të pohoj se nuk mund të flasësh për dramaturgjinë shqiptare pa folur për Fadil Krajën, ku ai është një nga gurët e themelit të saj. E kam një bindje se të jesh gur themeli në letërsi nuk është pak. Sepse muret edhe mund të lozin nga tërmetet e kohës, por themelet mbeten.
Ai që solli kujtime për një periudhë të gjatë bashkëpunimi, ishte ish drejtori i Teatrit “Migjeni”, Isa Alibali, i cili solli para të pranishmëve atë kohë të artë, kur trupa e Teatrit “Migjeni” për netë me radhë shfaqte dramat e Fadil Krajës, kur bashkëpunimi i këtij dramaturgu me regjisorin e madh Serafin Fanko, me trupën e teatrit të Shkodrës bënë epokë me kryeveprat e dramaturgjisë “Fisheku në pajë”, “Gjaku i Arbrit”, “Baca i Gjetajve”, “Çështja e Blertës”, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Njerëz të ditëve tona”, “Çështje familjare”, “Luani i shtëpisë”, “Skenderbeu”… e sa e sa vepra të tjera.
Drama “Fisheku në pajë” mbanë një rekord shfaqesh, mbi 500 herë dhe teatri popullor i Gjakovës në vitin ’74, filloi punën me këtë dramë të vënë në skenë nga regjisori i mirënjohur Muharrem Qena. Në viti 2000 kur Kosova digjej flakë, në këtë teatër u shfaq drama “Dasma e trojeve tona”.
Teatri i Strugës në vitin 2004 nisi shfaqjen e parë me dramen “Mos ma shkim hisen e diellit”, ndërsa teatri i Tuzit nisi punën me dramen “Tronditja”. Në Michigan një grup teatrosh nisi punën me dramen “Jorgani”.
Fjala e tij gjithmonë e zgjedhur, e ëmbël dhe pasionante, ka qenë qershia mbi tortë. Unë po veçoj njërën prej tyre: “Shkodra i ka dhënë shumë ndër vite kulturës dhe artit kombëtar. “Në qoftëse në Shkodër në themelet e kësaj kështjelle të madhe të kulturës e të artit me të cilën krenohet Shqipëria, kam vënë edhe unë një guralec, do të jem shumë i lumtur”.
Ashtu siç e ka dhunti, ai shpesh herë ka recituar një poezi të Hygoit “Kjo Është Jeta”: “Jeta është një melodi, fillon me nina nana, mbaron me liturgji. Jeta është një fat, një vrapim simbol. Starti është djepi, finishi arkivol. Dhe gjithë njerëzit e botës bërtasin që këtë vrapim sa më tepër ta zgjasin. Gjithë njerëzit një ditë do vdesin, ndoshta edhe unë”.
I urojmë dramaturgut të madh Fadil Kraja shëndet, por edhe jetë të gjatë me penën e tij krijuese dhe vepra sa më të vyera në shërbim të kombit e veçanërisht të rinisë shqiptare.
Tetor 2021