Një natë e paharruar dhe një spektakël madhështor në hapsirën elektrizuese në Kalanë e Festivalit, ku u shpalos me një performancë të shkëlqyer folklori i pasur dhe i veçantë i Qarkut të Shkodrës.
Abum me foto nga Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, ku unë isha aty edhe kur pati radhen për t’u ngjitur në skenë Grupi Folklorik i Qarkut të Shkodrës, i cili atë mbrëmje e përndriti skenën dhe e bëri të magjishme, jo vetëm me repertorin e përzgjedhur tradicional të tij, por edhe me interpretimet brilante të artistëve të vjetër e të rinj, që kishin sjellë në Festival perla folklorike të qytetit të Shkodrës, të Malësisë, të Nën Shkodrës, të Dukagjinit, të Zadrimës, të Pukës e Mirditës.
Një kurorë kostumesh magjepës, ku veshja dhe koloriti etnografik bëhej edhe më imponues, prej tingijve të lahutave, çiftelive, tupanave dhe instrumentave të tjerë.
Në epiqendër të imazhit sfidant ishin xhubletat e Malësisë së Madhe.
Ky koncert ishte produkt i një pune intensive disa mujore, me dashurinë dhe përkushtimin e gjithë atyre që u angazhuan pa përtesë, me dëshirën e mirë, për t’u ngjitur denjësisht në skenën e shenjtë të Festivalit dhe për ta ndezur ashtu siç dinë shkodranët.
E përjetova këtë magji jo thjeshtë për t’u mburrur me Shkodrën tonë, por për t’u mburrur me trashëgëminë kulturore e materiale të këtij populli kaq vital, që edhe në momentet më të vështira historike, ka arritur të mbijetojë me shpirtin e tij të paepur, ku ka çerdhen trimëria dhe dashuria.
Nëqoftëse doni një ilustrim për këtë, ndiqni Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.