Ka nisur në Elbasan mbledhja e shtatë e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Mbledhja ka startuar pak minuta pas orës 10:00, pasi kryeministri Edi Rama priti homologun e Kosovës Albin Kurti me çadër jashtë godinës ku po mbahet mbledhja. Të dy së bashku u afruan drejt tryezës së gjatë ku po mbahet mbledhja, e cila është një risi pas disa mbledhjeve të zhvilluara në tavolina të rrumbullakëta.
Mbledhja nisi me fjalën e mirësardhjes nga kryeministri Edi Rama. “Mirë se erdhët. Përshëndetje. Falemiderit. Do kishim dashur t’iu prisnim me diell, por shpresoj që gjithë ky shi dhe gjithë këto pika që kemi mbi kokë, të jenë shi që të jemi bashkë. Ky është takimi i shtatë mes dy qeverive dhe sot mblidhemi pas një viti sfidues për shkak të pandemisë”.
Pastaj Rama si zakonisht hapi ‘thesin’ e premtimeve të mëdha. Ai numëroi disa marrëveshje që do të nënshkruhen përfshirë edhe memorandumin e bashkëpunimit për të filluar studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.
“Është një tjetër prioritet i rëndësishëm, pas nisjes së punës për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës nga ana jonë, ne nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi siç patëm dakordësuar për të filluar studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë është një ëndërr e kahershme, por sot ne jemi besoj me të drejtë të lehtësuar që hedhim një hap konkret”, ka thënë Rama.
Marrëveshjet e përbashkëta që priten të nënshkruhen:
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit
Marrëveshja ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash)
Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës së Kosovës “Për ndihmë të ndërsjelltë juridike në çështjet civile dhe tregtare”
Për miratim, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikes se Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore
Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave
Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022
Marrëveshje Bashkëpunimi: në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK.
Protokoll Bashkëpunimi Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës s Shqipërise dhe Qeverise së republikës se Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
MoU për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë
Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Institucionit kompetent të palës kosovare.
Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (te konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave)
Manual i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit.
Manuali Për procedurat standarde te operimit ne piken e përbashket te kalimit kufitar (PPKK) Morine-Vermice
Marrëveshje dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut
Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH dhe Agjencisë Shtetëror të Arkivave të Republikës së Kosovës.