Qeveria e “kodoshit” të oligarkëve, trafikantëve e konkubinave
Këta janë kryeministri dhe ministrat faktik në Shqipëri, që ndajnë zonat ekonomike dhe diktojnë ligje e vendime për koncensione, privatizime, monopole importesh, leje resortesh e amnisti fiskale çdo fund viti, duke vepruar si bandë dhe si “bankë” interesash me vulë e firmë kushtetuese, e që prej 8 vitesh u ka vënë në dispozicion pushtetin dhe buxhetin e shtetit oligarkëve, klientë të tyre.
Emërimi nga Edi Rama, i ministrave, sekretarëve, drejtuesve politik në qarqe e anëtarëve të kryesisë, pa i përfillur fare strukturat drejtuese të partisë; bindi shqiptarët se në krye kanë një kryeministër të blinduar me pushtet absolut dhe të rrezikshëm për fatet e vendit.
Prepotenca në asamble, përbërja e qeverisë me 80% ministra aktualë e ish-ministra me dosje të rënda korrupsioni; dhe të zgjedhurit mumje në sallë, janë sinjal se Edi Rama nuk do ketë kurs drejtimi ndryshe, por vazhdim të sjelljes, lidhjeve të zeza dhe shtim abuzimesh.
Në 8 vite, kryeministri, zëvendësi i ri dhe ministrat, kanë treguar se në këto detyra, nuk janë emëruar për të kryer detyrimet ndaj shqiptarëve dhe programet integruese të vendit, por vetëm për të firmosur interesat e grupeve të çdo lloji, që kanë lidhje klienteliste me kryeministrin.
Edhe para këtij mandati qeverisës, Rama u shfaq si “kodosh” që mendon për pasurinë e tij, të ministrave, oligarkëve, trafikantëve, pronarëve të mediave e OJF-ve shërbestare të sundimit.
Për këtë, të bind fakti se Rama nuk bëri analizë për ministrat, por dhe fakti, se “ikonën” e korrupsionit e bëri zv/kryeministër; ndërsa ditën e shpalljes së qeverisë, njoftoi ri-fillimin e pagesës për “Check up”-in e Vilma Nushit dhe deklaroi 300 milionë Euro koncesione të tjera.
Ky kryeministër, është “kodoshi” që e përdor pushtetin me “konkubina” ministre e drejtore; dhe me oligarkë, trafikantë e vrasës; të cilëve u ka vënë në dispozicion ministrat, ambasadorët, kryepolicët, pasaportat diplomatike, buxhetin e shtetit dhe pasuritë publike.
Nuk e beson më asnjë shqiptar, se Arben Ahmetaj si zv/kryeministër, do mendojë për popullin; kur e dimë se çfarë zullumesh ka bërë kur ishte zv/ministër në qeveritë Nano e Meta; dhe në 8 vite me Ramën si ministër financash, rindërtimi e kryetar i Komisionit të Ekonomi-Financave.
Psh;, kur “Tigri” bëri aksidentin rrugor në Maqedoni, gjatë një wikend-orgjie në Greqi-Bullgari-Kosovë-Serbi; në makinë ishte me bosët e landfilleve, Klodian Zoto, Ilir Dedja e trafikantin Mirel Mërtiri, ndërsa makina shoqëruese ishte me “konkubinat” e tyre.
Ose, nëse zbardhen tabulatet telefonike dhe mesazhet e Ogerta Manastirliut në adresat elektronike; do konstatohen pazare për tendera e monopole ilaçesh, lavanderi e ushqime spitalesh me Vilma Nushin, Tomë Doshin, Ilir Beqjen, trafikantin Lefter Lamaj, Nikun e “Ndrageht’as” etj.
Në tabulatet e muajve janar-korrik të ministrit Bledar Çuçi e Blendi Klosi, përveç pazareve për emërime, transferime e licensa në shkëmbim të votave; gjen dhe urdhërat që oligarku Pëllumb Salillari, i ka dhënë për të shtruar në dajak banorët protestues të Lumasit në Kuçovë.
Nuk janë kryeministri dhe ministrat e dekretuar, ata që planifikojnë ndarjen e fondeve e pasurive publike në Shqipëri, por janë Pëllumb Salillari, Shkëlqim Fusha, Bashkim Ulaj, Paqësor Buzi, Sadri Abazi, Rrok Gjoka, Milo Gjikuria, Dod Doçi, Ded Kola, Getian Sulaj, Fatmir Kuçi, Sandër Frangaj, Vjollca Hoxha, Aleksandër Carapuli, Agron Papuli, Artan Dulaku etj.
Përpara tyre, qëndrojnë “gati-tu” gjithë ministrat, të cilët u firmosin nga 20-30 milionë Euro tendera në vit, toka bujqësore, objekte shtetërore, plazhe, pyje dhe lumenj për inerte e HEC-e.
Sepse oligarkët e trafikantët, janë kryeministri dhe ministrat faktik në Shqipëri, që sajojnë dhe diktojnë ligje e vendime për koncesione, privatizime e amnisti fiskale; duke vepruar si bandë dhe si “bankë” interesash e kryeministrit që ka vulën e firmën kushtetuese, i cili prej 8 vitesh u ka vënë në dispozicion pushtetin dhe buxhetin e shtetit
Ndaj nuk është çudi, që ky pushtet personal dhe miliardat e vjedhura, i kanë harbuar aq shumë qeveritarët; sa sipas të dhënave të SHISH, në kryeministri e 7 ministri kryesore, janë krijuar “dhoma gjumi luksi”; ndërsa para 1 viti, Bledi Çuçi ndërtoi “suit luksoze” në Ministrinë e Bujqësisë, me sipërfaqe 210 m2 e fond 410 milionë lekë. Të tjerat, t’i hetojë SPAK-u….