Së fundmi në vend janë denoncuar një sërë akuzash për sulme seksuale ndaj të miturave. Por mesa duket ngjarje të tilla të rënda ndodhin edhe në shkolla. Adriatik Haxhillari, drejtori i shkollës në Pogradec që është vënë në pranga pasi u dërgonte mesazhe dhe bënte shenja ngacmimi kundrejt dy vajzave të mitura gjatë orëve të mësimit.
“ABC” zbulon disa nga mesazhet që Haxhillari, u dërgonte dy 14-vjeçareve, të cilat kishin mundur që të ruanin sinjalet e dërguara me mesashe për të provuar pretendimet e tyre. Mesa duket, drejtori i shkollës i kishte studiuar prej kohësh dy vajzat, e fillimisht i kishte dërguar mesazh njërës prej vajzave që nuk jetonte me prindërit. Duke qënë se prindërit i kishte emigrantë në Greqi, e nuk mund ta kontrollonin celularin e të bijës, Haxhillari duket se kishte gjetur prenë perfekte. Por mendoi gabim.
Të miturës i dërgoi fillimisht një emoji, e kur ajo nuk reagoi, ai e fshiu. Megjithatë vajza mundi t’i bëjë screen-shot mesazhit.
“I tregova vëllait mesazhin në Whatsapp. Vëllai të nesërmen erdhi në shkollë. Debatoi me drejtorin dhe i kërkoi llogari. Drejtori i kërkoi të falur,”-tha 14 vjeçarja. Ndërsa e mitura tjetër ka gjetur në ditë të ndryshme në celularin e saj thirrje në “Whatsapp” nga numri i Haxhillarit.
Ajo tregonte se zakonisht i telefononte në mbrëmje, të cilat i shihte kur zgjohej në mëngjes. Kur përballej me të, drejtori i arrestuar kishte vetëm një justifikim: I kam rënë pa dashje! Por veç kësaj, e mitura ka thënë në Polici se ka gjetur disa herë dhe mesazhe të fshira.
Duke mos marrë asnjë sinjal nga të miturat, drejtori i ka provokuar edhe në shkollë me gjeste, ndërsa shtojnë se 59-vjeçari konsumonte shpesh alkool në lokalin pranë shkollës dhe hynte në mësim pasi kishte pirë.
Të shqetësuara nga sjellja e tij vajzat biseduan me familjarët e tyre dhe mësuesen kujdestare, duke vendosur që ta dërgoni n çështjen në Polici. Haxhillari u arrestua një ditë më parë dhe u pezullua nga detyra, duke shkaktuar reagime të forta në rrjet dhe nga instancat përkatëse e vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi.