Meta shkarkon katër ambasadorë të Shqipërisë, mes tyre dhe vajza e Ismail Kadaresë (EMRAT)
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shkarkuar katër ambasadorë të Shqipërisë. Bëhet fjalë për krerët diplomatikë në OKB, Hungari, Këshillin e Europës dhe UNESO.
Mes të liruarve nga detyra është dhe vajza e Ismail Kadaresë, Besiana Kadare të cilës i mbaroi mandati si ambasadore pranë OKB.
Ajo ishte njëkohësisht ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.
Besiana Kadare është propozuar si ambasadore në UNESCO, kurse Ferit Hoxha që mban aktualisht këtë pozicion është propozuar për ambasador të Shqipërisë në OKB.
Po ashtu edhe Arian Spasse i Hungarisë dhe Albana Dautllari e Strasburgut janë liruar nga detyra.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
1 tetor 2021
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, pika 2, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit, ka dekretuar, disa lirime të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare.
Konkretisht:
– Zoti Arian Spasse, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, rezident.
– Zonja Albana Dautllari, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.
– Zonja Besiana Kadare, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.
– Zoti Ferit Hoxha, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.