Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, mund të përballet me akuza për vrasje, për shkak të menaxhimit të dobët që ai i bëri pandemisë Covid.
Në këtë përfundim ka dalë e përditshmja britanike The Guardian.
Sipas prestigjozes britanike, kështu thuhet në raportin e hetimit dërguar Senatit. Dokumenti prej 1.078 faqeve është publikuar nga mediat braziliane, kurse komisioni do të mund të votonte për vendimin e marrë gjatë javës së ardhshme.
Në dokument thuhet se ka pasur paaftësi dhe mohim të fakteve shkencore që Bolsonaro i kishte anashkaluar, ku në këtë vend për shkak të keqmenaxhimit dhe mohimit të vazhdueshëm të presidentit për efektet e vaksinave anti-COVID, kanë humbur jetën 600.000 qytetarë si pasojë e infektimit me coronavirus.
“Vendimi i qëllimshëm dhe me vetëdije të plotë” që të shtyjë apo anulojë blerjen e vaksinave kundër COVID-19, i ka kushtuar me jetë mijëra qytetarëve, thuhet ndër tjera në raport – ku theksohet se “matematika e situatës ishte e qartë – sa më shumë infeksione – aq më shumë vdekje”.
E së fundmi në një intervistë dhënë për një radio lokale, ishte prerë kur deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme marrjen e vaksinës kundër COVID-19, duke vazhduar të këmbëngul se ka mjaftueshëm anti-trupa që e mbrojnë shëndetin e tij.