Reagim i Kryetares së Komunës Preshevë, Ardita Sinani:
“Presheva nuk përfaqësohet me maska politike!
Emërimi i Demo Berishës si kandidat për Ministër të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave është një fyerje për qytetarët shqiptarë në Luginë, për familjet tona, për historinë dhe sakrificën tonë kolektive.
Ky emërim nuk është përfaqësim, por një përpjekje e ulët për të krijuar një iluzion për bashkëjetesë dhe barazi, ndërkohë që realiteti në terren është krejtësisht ndryshe. Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës së Preshevës–ai është zëri i atyre që kanë ndërtuar karrierë mbi mohimin e identitetit tonë, mbi heshtjen për padrejtësitë që na bëhen çdo ditë.
Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkohet përfaqësim autentik, dinjitoz dhe i bazuar në vullnetin e qytetarëve – jo në emërime të fabrikuara për të shërbyer si dekor për ndërkombëtarët dhe për të mbuluar mungesën e të drejtave themelore.
Shqiptarët e Luginës nuk kanë harruar asnjëherë kush jemi, ku jetojmë dhe pse vazhdojmë të kërkojmë barazi. Ne nuk jemi pakicë që kërkon mëshirë, por popull që kërkon të drejtat që i takojnë me Kushtetutë, me marrëveshje dhe me dinjitet.
🤝 Presheva që unë përfaqësoj qëndron e bashkuar për të drejtat e saj, me kokën lart dhe zërin e qartë.”