Nga Klodian Tomorri
“Rritja ekonomike nuk përkthehet në rritje rrogash”- thotë kryeministri duke ju përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.
E thotë si justifikim, ndërkohë që vetëm kaq duhet të ishte arsye shumë e fortë që shqiptarët ta pushonin nga puna kryeministrin. Nëse një kryeministër në Europë do të guxonte ta thoshte këtë publikisht, karriera e tij politike do të kishte marrë fund menjëherë.
Por pse rritja ekonomike nuk përkthehet në rritje rrogash?
Është e thjeshtë. Sepse qeveria ka hyrë në biznesin e shpërndarjes së rritjes. Qeveria përcaton fituesit dhe humbësit në treg. Me pak fjalë, qeveria ndan tortën e mirëqenies.
Kur qeveria jep një koncesion ekskluziv, shpërndan një pjesë të rritjes ekonomike në mënyrë të pamerituar tek koncesionari.
Kur administrata bën një tender korruptiv, çon një pjesë të rritjes në mënyrë të pamerituar tek fituesi i tenderit.
Kur shteti bën një ligj që favorizon një individ ose një grup të caktuar, e orienton rritjen ekonomike tek ata për të cilët bën ligjin.
Kur qeveria jep asete shumë të vlefshme publike me 1 euro te një oligark, e heq rritjen ekonomike nga qytetarët dhe ja çon oligarkut.
Kur ministria e mbrojtjes tjetërson pronat e ushtrisë, kafshon rritjen ekonomike që duhet të shkonte tek qytetarët. Nëse edhe opozita e kyç gojën si në rastin konkret, atëhere sabotimi është bipartizan. Konsensual dhe me bazë të gjerë politike.
Kur entet rregullatore bëhen palë me kartelet, në vend që të mbrojnë konkurrencën, atëhere instalojnë ekonominë e rentes, që thith mirëqenien e qytetarëve për llogari të tregtarëve të miellit, oligopoleve, monopoleve.
Pra me pak fjalë, qeveria dhe shteti kanë hyrë në biznesin e shpërndarjes së rritjes ekonomike, për së mbrapshti. Qeveritë normale rishpërndajnë nga lart poshtë. Pra ja u marrin të pasurve dhe ja u çojnë të varfërve. Qeveria jonë bën të kundërtën.
Kjo është arsyeja se pse nuk rriten rrogat për qytetarët kur rritet ekonomia. Sepse qeveria nuk lë tregun të bëjë punën e tij, por e shpërndan vetë se ku duhet të shkojë rritja.