Saga e drejtorëve hajdutë të Postës/ U prangos me këmbë të mbarë i pari, Laerti kur do shkojë në SPAK?!
Ditën e djeshme ra në pranga Valter Gora, ish-drejtori i Postës Shqiptare në qytetin e Korçës dhe 7 vartës të tij për të cilët u dha masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh pasi dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori Gora, ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte. Në listën e abuzuesve me detyrën shtetërore, bëjnë pjesë persona me poste hierarike të ndryshme, duke nisur që nga drejtori e deri tek shefja e financës apo specialistja e shërbimeve.
E kështu Gora e pati këmbën e mbarë për të nisur hetimet për sagën e gjerë të drejtorëve hajdutë të Postës Shqiptare, me në krye vetë të ashtuquajturin Pashai, i emëruar nga Rama në krye të këtij institucioni e më pas duke e katapultuar deputet në listën e Gjirokastrës. Tenderat abuzues të Laert Durajt janë denoncuar në mënyrë të vazhdueshme nga media dhe nëse SPAK ka dashur të nisë hetime mbi vjedhjet e këtij zyrtari të lartë ka patur ushqim të bollshëm, një peshk të madh që mund ta bënte shembull në nder të drejtësisë së supozuar në vend, por në vend të kësaj merret me personat me poste dytësore në institucionet publike, që nuk marrin asnjë kacidhe krahasuar me drejtorët e tyre, që çuditërisht dalin gjithnjë të pastër.
Miliardat që ka vjedhur Laert Duraj janë të pakrahasueshme me ato që ka vjedhur një drejtor lokal si Gura me 240 Milion Lekë. Aq, Duraj jep vetëm çerekun e një tenderi për bojë printeri, 600 Milion Lekë. Mediat investigative që kanë burime nga të gjitha anët edhe për afera të papublikuara të zyrtarëve të lartë të shtetit i bëjnë thirrje SPAK të hetojë siç duhet abuzimet me paratë e shqiptarëve të drejtorëve e kryebashkiakëve të qeverisë Rama, në të kundërt drejtësia cilësohet bashkëpunëtore në këto afera që bëhen të gjitha publike.