Pamje të rënda/ Përplasje e përgjakshme mes policisë dhe një grupi në Greqi, 1 i vdekur dhe 7 të plagosur, mes tyre 6 efektivë.
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Greqi, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e shtatë të tjerëve, gjashtë prej të cilëve policë. Mediet fqinje raportojnë se ka pasur një përplasje të armatosur, në orët e vona të mbrëmjes, në Peramë, mes policisë dhe një grupi të armatosur.
Mësohet se oficerët e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të një makine, i cili ndodhej brenda me dy persona të tjerë, që të ndalonte për kontroll. Por, drejtuesi i mjetit nuk ka respektuar urdhrin për të ndaluar, por i ka dhënë gaz mjetit për t’u larguar.
Policia i është vënë menjëherë nga pas, duke e ndjekur, deri në rrugën “Elidos”, në Peramë. Në momentin e ndalimit, drejtuesi i makinës ka përplasur një motor të policisë, duke bërë që këta të fundit të qëllojnë me armë.
Njëri prej tre personave që ndodhej në makinë ka humbur jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, së bashku me gjashtë policë. Ndërsa personi i tretë që ka qenë në makinë, ka mundur të arratiset dhe është shpallur në kërkim.