Dy ditë pas përplasjes me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare në Tiranë, Policia e Shtetit ka mundur të zbulojë protagonistët e ngjarjes. Burime bëjnë me dije se sherri ka ndodhur më 21 gusht, ku të përfshirë janë dy vëllezër dhe roja security e qendrës tregtare.
Në pranga është vënë Drilon Toska, i cili është punonjës policie ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, Arbër Toska pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë sulmuar fizikisht për motive të dobëta rojen security.
Policia raporton se ka qënë polici 35-vjeçar ai i cili ka qëlluar me armë zjarri për ta trembur rojen, në një orar ku qendra tregtare ka qenë e tejmbushur me qytetarë që kishin shkuar për të bërë blerjet e fundjavës.
Si nisi sherri? Sherri mes dy vëllezërve Toska dhe rojes security në Tiranë nisi për një vend parkimi. Konflikti fillimisht ka nisur nga vëllai i efektivit Drilon Toska, Arbër Toska, për shkak të një vendi parkimi. Pas konfliktit, Arbri ka kërkuar ndihmën e të vëllait, i cili ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku edhe ka ndodhur konfrontimi. Mes dy vëllezërve dhe rojeve të sigurisë private të qendrës tregtare ka pasur përplasje fizike, ofendime ku më pas efektivi Drilon Toska ka nxjerr armën dhe ka qëlluar një herë. Gjatë konfliktit Toska nuk ishte në shërbim dhe ishte pa uniformë.
Por si u zbulua ngjarja? Nga një videomatore që tregonte panikun në ambientet e parkingut pas të shtënave me armë. Për gati 2 ditë policia e Shtetit nuk pati asnjë reagim, ndërsa për fat të mirë, sot u njoftua se është bërë arrestimi i policit Drilon Toska.