60-vjeçari Mhill Gega, i cili në muajin shkurt të këtij viti përplasi për vdekje me makinë bashkëfshatarin Mark Gjeta pritet të marrë sot dënimin. Mësohet se prokurori Françesk Ganaj ka kërkuar dënimin me 18 vite burg për Gegën, i cili akuzohet se e ka përplasur qëllimisht me makinë Gjetën.
Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje, por pritet që trupi gjykues të shqyrtojë versionin e Prokurorisë dhe më pas të japë vendimin final.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 shkurt në fshatin Bungaj të Mirditës. Mhill Gega dhe Mark Gjeta kishin konflikte prej kohësh me njëri-tjetrin që u ndezën pasditen e 17 shkurtit.
Pas sherrit verbal, 60-vjeçari shkoi në shtëpi, mori makinën e tij dhe doli të shtypte bashkëfshatarin. Goditjet nga mjeti i shkaktuar vdekjen 68-vjeçarit dhe autori u vu në pranga. Para grupit hetimor, Gega ka deklaruar se viktima e ofendonte shumë shpesh në sy të familjarëve e të njohurve të tij.