Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në emisionin “Kjo Javë” ka zgjedhur mos të komentojë vendimin e Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës. Ajo tha se Partia Demokratike është në një pozicion të vështirë, por qeveria do të merret me punët e mandatit të tretë. Ajo tha se opozita nuk është armike e tyre por një konkurrente në një garë.
“Nuk më takon mua të gjykoj mbi këtë vendim.Është një pozicion i vështirë, por është punë e tyre. Duhet të zgjidhin çështjet e tyre brenda partisë. Janë në një moment të vështirë, por ne kemi punët tona. Lufta nuk eshte me opozitën. Për ne opozita nuk është armike. Është konkurrente në një garë ku ne dalim me program, me ekip. Nuk kam asnjë opinion për këtë çështje, sigurisht do të kishte qenë mirë që opozita të ishte në një proces tjetër të zhvillimit. Uroj të gjejnë rrugën e tyre. Mjaft komente i kemi bërë për të në 30-vjet, ne shikojmë nga e ardhmja. Çdo koment është një rënie në kurthin e debatit politik, ku nuk flitet për politika, por vetëm për politikanë”- tha ajo.
E pyetur për një rikthim të mundshëm të ish-kryeministrit Sali Berisha, ajo u shpreh se nuk do të ishte surprizë. Sipas saj ai është një individ i lirë dhe mund të sillet si e gjykon.
“Asnjë surprizë. Nuk do të marrim pjesë në axhendën e një debati shterpë. Zërin as nuk ia marrim, as nuk ia japim ne. Është individ i lirë. Mund të sillet si e gjykon. Brenda PD është e qartë ajo që po ndodh, por ne kemi hall se si është situata me shkollat, arsimin, punët me pandeminë. Këto janë problemet tona, të tjera çështje ne nuk kemi”- tha Spiropali