Peqin
Nga Fatmir Pope:
Humb jetën tragjikisht 6-vjeçari Eljo Aliu, pak ditë pasi prindërit e regjistruan për klasën e parë
Vetëm pak ditë më parë, prindërit e Eljo Aliut, një djalë 6-vjeç, kishin dorëzuar çertifikatën personale në shkollën ku ai do të niste klasën e parë këtë shtator në qytetin e Peqinit. Vjeshta do të shënonte fillimin e një kapitulli të ri për të ,por në vend të hapit të parë drejt shkollës, jeta e tij u ndërpre tragjikisht këtë të martë në rrjedhën e lumit Shkumbin ku dyshohet se kishte shkuar për tu larë i vetëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 qershor 2025, kur rreth orës 19:50.Më herët shtetasja D. Aliu kishte njoftuar Policinë e Peqinit se nipi i saj 6-vjeçar kishte humbur dhe nuk ishte parë prej më shumë se tre orësh. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë , të afërm të familjes së 6 vjeçarit dhe banorë të qytetit të Peqinit nisën kërkimet intensive përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin në afërsi të lagjes “Çezme”.
Rreth orës 21:30, trupi i pajetë i të miturit u zbulua nga një peshkatar amator i zonës në një zonë të thelluar të lumit, ku është krijuar një gropë mjaft e thellë si pasojë e shfrytëzimit të rrjedhës së Shkumbinit për nxjerrjen e inerteve.Gjatë këqyrjes paraprake të trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se Eljo është mbytur aksidentalisht në lumin Shkumbin.Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vlerësim të mëtejshëm juridik.Policia dhe autoritetet vendore kanë shprehur ngushëllimet për familjen, ndërsa bëjnë thirrje për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, veçanërisht në afërsi të zonave të rrezikshme si lumenjtë dhe hapësirat ujore të pambrojtura.Lajmi i humbjes së Eljos 6 vjeç ka tronditur opinionin publik në Peqin , duke rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të forta sigurie dhe mbikëqyrje në mjediset e hapura ku fëmijët lëvizin.