Pasuria/ Nga Laert Duraj te Alqi Bllako, drejtorët-sheikë me 22 apartamente dhe ata me dhurata nga vjehrri
Ata menaxhojnë qindra milionë euro fonde publike. Janë në krye të ndërmarrjeve shtetërore, në varësi të Këshillit të Ministrave, dhe janë munduar që, në përgjithësi, të ruajnë një profil sa më të ulët publik.
Institucionet e tyre janë akuzuar shpesh publikisht për abuzime me tenderat publike dhe përdorimin e fondeve shtetërore. Por, gjithësesi, drejtorët e rëndësishëm të kryeministrit Edi Rama asnjëherë nuk janë përballur me procese gjyqësore.
“Boldnews.al” po publikon të dhënat vetëm për pasuritë e paluajtshme të disa prej tyre, në mënyrë që publiku të njihet më mirë me personat që administrojnë pjesës më të madhe të tortës së parave të shqiptarëve.
Në qendër të artikullit janë: Administratori i deritanishëm i Posta Shqiptare, Laert Duraj; Administratori i deritanishëm i Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare, Benet Beci; Ergys Verdho që zuri vendin e Becit në KESH, Skerdi Drenova, titullar i Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
Nëse ata do të qëndronin në të njëjtin vend, atëherë ata do të zotëronin një pallat të tërë, pasi të pestë zotërojnë në total rreth 22 pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente, troje, sipërfaqe toke dhe garazhe.
Vlera e tyre, sipas vetëdeklarimit, arrin në më shumë se një milion euro.
Raportimi nuk merr përsipër që të kryejë një analizë financiare mbi ligjshmërinë e burimit të pasurive të drejtorëve të Ramës, por është një fotografim i pasurisë së paluajtshme të vetëdeklaruar nga zyrtarët e rëndësishëm pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Laert Duraj i “Postës”, 7 apartamente e toka
Laert Duraj, biznesmen, si edhe aksioner në një universitet privat në Tiranë, u emërua në krye të Posta Shqiptare sh.a në vitin 2017, pasi Partia Socialiste mori e vetme qeverinë.
Tashmë Duraj është deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës dhe ulet për herë të parë në sallën e Parlamentit në Shtator 2021.
Duraj rezulton me pasuri të paluajtshme të bollshme, me vlerë mbi 1 milionë euro, referuar deklaratave të pasurisë të dorëzuara prej tij pranë ILDKPKI, të cilat kanë të gjitha si burim të deklaruar të ardhurat nga biznesi dhe shitjen e kuotave në universitetin privat.
Në formularin fillestar, Duraj deklaron;
Apartament 92.9 m2, Tiranë, blerë në vitin 2004, me vlerë 9.7 milionë lekë.
Apartament 75.3 m2, Tiranë, blerë në vitin 2005, me vlerë 37.600 euro.
Apartament 146 m2, Tiranë, blerë në vitin 2014 me vlerë 73.000 euro.
Apartament 79.6 m2, Vlorë, vlera 64.000 euro, përfituar në bazë të kontratës së porosisë të hartuar në vitin 2011
Godinë me sip.88 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 88 m2, në Tiranë, blerë në vitin 2017 me çmim 940 mijë euro. Për këtë pasuri, Duraj deklaron si burim një kredi në vlerë 109 milionë lekë të reja.
Dy parcela tokë arë në Tepelenë, me sipërfaqe totale 6 mije m2, blerë me çmim total 670.000 lekë.
Tokë arë 5940 m2, në Mjull Bathore, Tiranë, me vlera 534.600 euro. Shuma është paguar me dy këste, në vitin 2017 dhe në vitin 2020.
Në deklaratën e pasurisë për vitin 2019, Laert Duraj deklaron gjithashtu pronësinë për dy asete të tjera;
Tokë Arë, me sipërfaqe 2000 m2, në Damës, Tepelenë, me vlerë 400 mijë lekë;
Dy apartamente në Tiranë, me sipërfaqe 143.3 m2 + 143.3 m2, me çmim total 199 mijë euro, të paguar plotësisht me dy këste. Shlyerja e detyrimit ka përfunduar në vitin 2020.
Benet Beci, vilë në Lalëz, 3 apartamente e toka
Benet Beci është një prej drejtorëve më jetëgjatë në administratën shqiptare. Në vitin 2005 ai u emërua si drejtues i Fondit Shqiptar i Zhvillimit.
Ai e mbajti këtë detyrë deri në janar 2019, për t’u emërua Administrator i Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH).
Tashmë, Beci pret të marrë mandatin e deputetit, si fitues në listën e Shkodrës nga Partia Socialiste.
Nga deklarata fillestare e pasurisë, të dorëzuar në vitin 2005, e deri në atë të vitit 2020, Benet Beci deklaron pronësi dhe tjetërsime të pasurive. Aktualisht, ai ka në pronësi këto asete
Apartament 79 m2, Tirane, blerë në vitin 2005 në shumën 3.5 milionë lekë
Vilë në Gjirin e Lalëzit në Durrës, me sipërfaqe 102 m2, blerë në vitin 2005, për një çmim prej 47.000 euro
Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m2, në Voskopojë, blerë për një çmim prej 360 mijë lekë në vitin 2015.
Tokë në Prush, Tiranë, me sipërfaqe 3000 m2, blerë në vitin 2016 për një çmim prej 810 mijë lekë
Garazh 192 m2, Tiranë, me vlerë 7 mijë euro, blerë në vitin 2016 (duket se ka një lapsus në shënimin e sipërfaqes së garazhdit-shën.red)
Apartament për qëllime biznesi, blerë nga bashkëshortja e tij, me sipërfaqe 244.3 m2, me vlerë 170 mijë euro, blerë në vitin 2016.
Apartament banimi, 200 mijë euro, në Tiranë (nuk jepen detaje të tjera në pjesën publike të formularit të pasurisë-shën.red)
Ergys Verdho, shtëpi në shkëmbim të shërbimit
Ergys Verdhor, administratori aktual i KESH-it ka deklaruar për herë të parë në vitin 2018, kur u emërua si zv.Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Ai qëndroi i komanduar në krye të ARRSH-së për më shumë se një vit.
Në formularët e pasurisë, të dorëzuara pranë ILDKPKI, Verdho deklaron se është në pronësi në tre pasurive të paluajtshme, të fituara kryesisht si shkëmbim i shërbimeve të konsulencës, së ofruar prej tij në fushën inxhinjerike.
Më konkretisht, Verdho deklaron pasuri të paluajtshme, si vijon:
Apartament në Tiranë, me sipërfaqe 133.9 m2, me vlerë 115 mijë euro. Burimi i krijimit është; të ardhura të krijuara nga shitja e një apartamenti tjetër në vitin 2015, si edhe kursime nga puna prej vitit 1998 e në vijim. Si burim për përfitimin e apartamentit të shitur në vitin 2015, Verdho deklaron: “Dhuratë nga vëllai në vitin 2012, për shërbim konsulence në projektim dhe gjatë zbatimit”.
Apartament në Vlorë, me vlerë 54.000 euro. Burimi i krijimit është; 20 mijë euro nga të ardhurat ndër vite dhe pjesa tjetër është shkëmbim i shërbimit të konsulencës për 10 vjet ndaj kompanisë së ndërtimit.
Dyqan, 29.8 m2, në Tiranë. Vlera, 5.4 milionë lekë. Burimi i krijimit; dhurim nga vëllai në vitin 2012, si shkëmbim për shërbimin e konsulencës.
Skerdi Drenova, 2 apartamente e tokë në Borsh
Skerdi Drenova u emërua nga Erion Veliaj në krye të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, pasi kishte qenë më parë pjesë e administratës së Top Channel.
Në janar të vitit 2019, Drenova emërohet Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, post që vijon ta mbajë ende.
Në formularët e pasurisë, ai ka shënuar;
Apartament banimi, me sipërfaqe 91.8 m2, pjesë e privatizimit. Pjesa takuese, 20 përqind
Apartament banimi në plazh, Durrës, me sipërfaqe 74 m2, blerë në vitin 2005, me çmim 40.700 euro. Burimi i deklaruar është: Të ardhura familjare;
Pemtore 300 m2, Borsh, vlera 50 mijë lekë
Drejtorët me apartamente “në pajë”
Në analizë për pasurinë janë marrë edhe dy drejtorë të tjerë të rëndësishëm, të cilët rezultojnë të varfër, sipas formularëve të pasurisë së dorëzuar në ILDKPKI, por që kanë marrë “pajë” nga bashkëshortet.
– Alqi Bllako, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve, AKUM, i cili merr mandatin e deputetit të zgjedhur nga Partia Socialiste në Qarkun e Tiranës, rezulton se nuk ka apartament në pronësi të tij.
Megjithatë, në formularët e pasurisë, bashkëshortja e tij deklaron se ka përfituar dhuratë nga babai i saj një apartament me sipërfaqe 71 m2, në Tiranë.
Në vitin 2020, zonja e Bllakos përfiton nga trashëgimia ligjore e babait të saj edhe një ambjent-zyrë, me sipërfaqe 21 m2.
– Evis Berberi, drejtori aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka deklaruar pasurinë për herë të parë në vitin 2019, kur u emërua këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës.
Në formularët e pasurisë, bashkëshortja e tij ka deklaruar dy apartamente, me sipërfaqe 88 m2 dhe 70 m2, të përfituar nga trashëgimia ligjore e familjes së saj.
Po ashtu, bashkëshortja e drejtorit aktual të ARRSH-së është bashkëpronare me familjen e saj në disa parcela tokë arë, në Marinëz të Fierit.
Ndërkohë, dy bashkëshortët kanë një apartament, me sipërfaqe 88.4 m2, me vlerë 88.500 euro. Burimi i krijimit të kësaj pasurie mbetet i pasqaruar në pjesën publike të formularit, të dorëzuar pranë ILDKPKI.
– Jonaid Myzyri u emërua pak muaj më parë në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Bazuar në formularët e pasurisë, Myzyri rezulton të mos ketë në pronësi asnjë pasuri të paluajtshme.